eksperti-banner

Sporti i skijimit njihet si një sport mjaft i rrezikshëm, por edhe shumë atraktiv e popullor nëpër botë.

Ndonëse cilësohet si sport i shtrenjtë, viteve të fundit është përhapur edhe më shumë në Kosovë, ku në pah kanë dalë shumë talentë e talente të reja.


Skitarja kosovare, Klea Rudi ka filluar të merret profesionalisht me këtë sport që në fëmijëri, duke fituar çmime të shumta, me ëndrrën e përfaqësimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në një intervistë për Telegrafin, Klea Rudi flet për arritjet e saj në këtë sport, por edhe problemet me lëndime të cilat e lanë për një kohë të gjatë jashtë garave.

Screenshot 6 55

Si një femër që merret me këtë sport, ajo e sheh skijimin më shumë si terapi dhe qetësim për të.

"Për mua si femër nuk është e vështirë të merrem me skijim pasi e kam si terapi dhe më qetëson, i vetmi problem janë lëndimet të cilat mund të ndodhin shumë lehtë", tha fillimisht Rudi.

Screenshot 4 79

Dhe pikërisht kjo i ndodhi Kleas, e cila para disa vitesh u përball me një lëndim i cili e la jashtë garave për një kohë të gjatë.

"Para disa vitesh e kam lënduar gjurin dhe nuk kam mundur të marr pjesë në gara për një kohë të gjatë. Këtë vit jam rikthyer ku mora pjesë në garën e parë ku përfundova e dyta, por një javë më vonë gjatë përgatitjeve lëndova ligamentin kryesor ACL dhe meniskusin, ku mu desh t'i nënshtrohem një operimi".

Screenshot 3 100

"Këtë vit nuk dihet sigurt se a do të kthehem në gara për shkak të komplikimeve në gju, por sezonin tjetër rikthimi është i sigurt", vazhdoi ajo.

Me tu rikthyer ajo përfundoi e dyta në garë, por sukseset e saj nuk munguan asnjëherë pasiqë është shpallur tri herë “Shpresë e Kosovës”.

"Jam shpallur tri herë më e mira në kategorinë time, ku në Kosovë vlerësohesh me titullin "Shpresë e Kosovës", si dhe kam marrë mirënjohje dhe kupë nga qyteti i Gjakovës për kontribut në sport".

Klea garon me klubin e skijimit të Gjakovës, por nuk harron t’i përmend edhe katër skitarët që do ta përfaqësojnë Kosovën në gara ndërkombëtare.

Screenshot 2 136

“Do të doja t’i përmendja katër skitarët që do të na përfaqësojnë në garat ndërkombëtare, e që jam e bindur që nuk do të kthehen në Kosovë pa trofe. Bëhet fjalë për Altin Tahiri, Arbi Popovci, Drin Kokaj dhe Kiana Kryeziu, të cilëve i uroj shumë suksese”.

Tashmë si seniore, Rudi synon të rikthehet edhe më e fortë me ëndrrën e vetme - pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare.

"Ëndrra imi është pjesëmarrja në garat ndërkombëtare, aty ku dua ta bëj krenarë shtetin tim, familjen dhe gjithë rrethin", përfundoi skitarja kosovare, Klea Rudi.

/Telegrafi/

telegrafi sport app