Mbron nga kërpudhat, largon insektet dhe mund të përdoret si spërkatës ose direkt mbi dhe, ndërsa shumëkush e ka tashmë në kuzhinë

Nëse i doni bimët, e dini sa shpejt mund të dobësohen: gjethet zverdhen, shfaqet myku dhe dëmtuesit dalin pothuajse brenda natës. Ndërsa shumë njerëz zgjedhin preparate kimike, ekziston një zgjidhje më e thjeshtë që ndoshta e keni tashmë në kuzhinë.


Kanella, erëza që e lidhim me ëmbëlsirat dhe pijet e ngrohta, mund të bëhet aleati juaj sekret në kujdesin për bimët. Natyrale, e sigurt dhe shumë efektive, ajo rekomandohet gjithnjë e më shpesh edhe nga ekspertët.

Pse kanella është e mirë për bimët

Kanella ka veti të forta antibakteriale dhe kundër kërpudhave, që do të thotë se mund të ndihmojë në luftimin e mykut, kërpudhave dhe sëmundjeve të ndryshme të bimëve.

Përveç kësaj, aroma e saj e fortë largon dëmtues si milingonat, merimangat dhe insekte të tjera, pa dëmtuar bimën apo mjedisin, transmeton Telegrafi.

Si ta përdorni kanellën për mbrojtjen e bimëve

Spërkatës kundër mykut dhe kërpudhave

Një nga mënyrat më efektive është përgatitja e një spërkatësi natyral.

Ju nevojiten:

▪ 1 lugë kanellë
▪ rreth 5 litra ujë të vakët

Përziejeni mirë, kullojeni dhe hidheni në shishe me spërkatës.

Këtë tretësirë mund ta spërkatni mbi gjethe dhe për të parandaluar ose zbutur shfaqjen e kërpudhave. Rekomandohet përdorimi dy herë në javë.

Nëse myku tashmë është shfaqur, hiqeni fillimisht pjesën e prekur dhe pastaj përdorni spërkatësin.

Hedhja mbi dhe

Kanellën mund ta shpërndani lehtë edhe mbi sipërfaqen e dheut.

Është e rëndësishme që shtresa të jetë e hollë, sepse sasia e tepërt mund të mbajë lagështinë dhe të japë efekt të kundërt.

Kjo metodë ndihmon në ruajtjen e dheut të shëndetshëm dhe pengon zhvillimin e dëmtuesve.

Mbrojtje pas krasitjes

Nëse e keni krasitur bimën ose po merrni prerje për shumim, kanella mund të ndihmojë në mbylljen e plagës.

Mjafton ta zhytni lehtë pjesën e prerë në kanellë dhe ta mbillni menjëherë. Ajo vepron si mbrojtës natyral dhe ndihmon kundër kalbëzimit.

Sa shpesh duhet përdorur

Për efekt më të mirë rekomandohet:

▪ spërkatja ose hedhja çdo 10 deri në 14 ditë
▪ kontrolli i rregullt i bimës dhe përsëritja sipas nevojës

Gabimet që duhen shmangur

Edhe pse është natyrale, kanella duhet përdorur me kujdes:

▪ mos përdorni sasi të tepërt, sepse mund të pengojë thithjen e ujit
▪ shmangni sheqerin me aromë kanelle, duhet kanellë e pastër
▪ më e përshtatshme është kanella cejlone, sepse është më e butë për bimët

Ka edhe alternativa

Nëse dëshironi efekt më të fortë, mund të përdorni vaj neem, i njohur për veprimin kundër dëmtuesve.

Për problemet me mykun, zgjedhje e mirë është edhe qymyri aktiv që shtohet në dhe.

Në fund, ajo që e bën këtë truk të veçantë është thjeshtësia. Pa preparate të shtrenjta dhe pa kimikate, vetëm një erëz që e keni në shtëpi. Ndërsa bimët do t’ju tregojnë shumë shpejt ndryshimin. /Telegrafi/