Në Katedralen e Shën Gjergjit në Boston u nderua dje Gjergj Kastrioti Skënderbeu, me disa kumtesa dhe shfaqje. Në aktivitet u përkujtua edhe 110-vjetori i krijimit të kishës autoqefale shqiptare nga Fan Noli. Kisha vendosi t’i përkujtojë këto dy ngjarje bashkë, duke pasur parasysh kontributin e Fan Nolit në studimin e Skënderbeut.

Në simpoziumin që u mbajt në një sallë të thjeshtë në katin e dytë të Katedrales, folën disa studiues. Profesor Nikolla Pano thotë se Noli e shkroi fillimisht “Historinë e Skënderbeut” në vitin 1921 me qëllimin e qartë për të bashkuar shqiptarët dhe për të edukuar tek ata ndjenjën kombëtare.

Grant Harris është drejtor i Sektorit të Evropës në Bibliotekën e Kongresit në Uashington. Atë e habit fakti se me sa entuziazëm u pritën bëmat e Skënderbeut në Evropë dhe botë: “Është e habitshme kur mendon që ka patur aq shumë njerëz që shkruan për Skënderbeun, përfshirë poetë dhe të tjerë që kanë lënë dorëshkrime deri në shekullin XIX”.

Një skicë e Skënderbeut e krijuar në vitin 1918 dhe ku shquan detaji i pasur, ka qenë varur vazhdimisht në Kishën e Shën Gjergjit, por deri dje autori ishte i panjohur. Neka Doko, e cila kujdeset për Bibliotekën e Nolit në këtë Katedrale, tregon se pas kërkimeve që disa shqiptarë të Bostonit bënë në Tiranë, arritën të gjejnë autorin: “Ai është Spiridon Tasi Ilo. Është një patriot shumë i njohur i kohës së Nolit, shok i ngushtë edhe me Nolin, me (Kristo) Kirkën. Në këtë skicë ai ka shkruar me shkrim dore ‘Më bëri D. T. Shkëmbgur’. Nga kërkimet doli se ky ishte emri i tij artit”. /VoA/