KH Besa e gatshme për ndeshjet kundër Kehras

Drejtuesit e skuadrës kampione të Kosovës, Besa Famiglia, i kanë bërë thuaja se të gjitha përgatitjet për pritjen e kampionëve të Estonisë, skuadrën Kehra. Estonezët do të mbërrijnë në Pejë të premten, ndërsa të shtunën dhe të dielën do t’i zhvillojnë dy ndeshej në kuadër të rrethit të parë të EHF Cup për edicionin e sivjetmë.
Pejanët i kanë kryer përgatitjet
Drejtori sportiv i Besa Famiglias, Enis Idrizi, i tha të martën gazetës ‘Sport Plus’ se ai me të gjithë bashkëpunëtorët e tij i kanë bërë edhe përgatitjet e fundit për t’i pritur në mënyrën sa më të mirë hendbollistët e skuadrës estoneze, Kehra.
“Ne tashmë i kemi kryer edhe përgatitjet e fundit për t’i pritur mysafirët nga Estonia”, tha Idrizi. Ai më pas tha se kohë më parë kishte biseduar me drejtuesit e skuadrës nga Estonia, për t’i zhvilluar të dy ndeshjet në Kosovë.
“Unë shumë ditë më parë kam biseduar me drejtuesit e skuadrës kampione të Estonisë, për t’i zhvilluar të dy ndeshjet në Pejë”, tha Idrizi, duke saktësuar se këto ndeshje do të zhvillohen në Pejë, të shtunën dhe të dielën e ardhshme.
Sigurisht se këto dy ndeshje e kanë edhe koston e tyre, pasi akomodimi i komplet skuadrës do të mbulohet nga ana e klubit pejan. “Për këto dy ndeshje kostoja është rreth 7 mijë euro”, shtoi më pas Idrizi, teksa shton se estonezët do të mbërrijnë të premten në Pejë. “Skuadra estoneze dhe tërë stafi i saj do të vijnë në Pejë të premten”, saktësoi Idrizi, duke thënë se po këtë ditë hendbollistët e skuadrës estoneze do të zhvillojnë një stërvitje në Palestrën ‘Karagaçi’. /SportPlus/Telegrafi/



















































