LAJMI I FUNDIT:

Këto janë dhimbjet gjatë shtatzënisë që s’duhen injoruar kurrsesi

Këto janë dhimbjet gjatë shtatzënisë që s’duhen injoruar kurrsesi

Nënat e reja kanë tendencën të përhapin panik me ndryshimet më të vogla që i ndodhin në trup. Por çfarë është normale dhe çfarë jo dhe si mund ta bëni dallimin?

Shtatzënia bën lojëra të çuditshme me trupin tuaj dhe duke marrë parasysh se një krijesë tjetër po rritet brenda jush, nuk habitemi. Për të mos folur për fluksin hormonal, që e bën edhe më të parehatshëm procesin e pritjes së ëmbël (?)


Këto dhimbje ta shpifin, por janë normale dhe s’keni pse shqetësoheni:

– Për fatin tuaj të keq, gjatë shtatzënisë duhet të mësoni të bashkëjetoni me gazrat dhe kapsllëkun. Është normale, ndonëse ndonjëherë mund të bëhet shumë e dhimbshme, dhe shumë nëna e ngatërrojnë me diçka më serioze. Për ta shmangur përpiquni të mos hani shumë në një vakt, por të hani disa vakte të vogla. Shmangni ushqimet e thata, konsumoni fibra dhe pini shumë ujë.

– Dhimbja në pjesën e poshtme të barkut, shkaktuar nga lëvizjet e papritura është gjithashtu normale. Bashkë me rritjen e barkut, ligamentet që bashkojnë mitrën me murin e barkut fillojnë të zgjaten duke shkaktuar dhimbje. Dhimbja zakonisht fillon rreth javës së 12-14 të shtatzënisë dhe bëhet më e theksuar gjatë tremujorit në vazhdim. Lajmi i mirë është që nëse ndaloni së lëvizuri, edhe dhimbja pushon.

– Kontraktimet që zgjasin 1-2 minuta mund t’i përjetoni që tremujorin e dytë të shtatzënisë. Mund të jenë të parehatshme, por zakonisht nuk janë të dhimbshme. Këto kontraktime janë të ngjashme me ato që përjeton kur lind, por jo aq të dhimbshme dhe zgjasin shumë pak.

Nëse keni ndonjë nga shqetësimet e mëposhtme, duhet të shkoni tek doktori:

– Dhimbje therëse e papritur ose që vazhdon gjatë. Mund të jetë apendicit. Ky është rasti më i shpehtë për ndërhyrje emergjente gjatë shtatzënisë. Zakonisht shoqërohet me temperaturë, pamundësi për të ngrënë, marrje mendsh dhe të vjella.

– Dhimbje në pjesën e sipërme djathtas të barkut menjëherë pasi hani. Tretja e ngadaltë e ushqimit sjell boshatisjen e fshikëzës së tëmthit, që mund të shkaktojë gurë në tëmtha. Nëse nuk është shumë e rëndë, mund të rregullohet me një ndryshim në regjim, shmangien e ushqimeve të thata apo me yndyrë. Në të kundërt duhet hequr, megjithëse në pjesën më të madhe të rasteve ndërhyrja mund të presë deri pas lindjes.

– Dhimbje e papritur në pjesën e sipërme djathtas të barkut, shoqëruar me marrje mendsh. Kjo ndodh nga rritja e presionit të gjakut dhe zakonisht ndeshet në tremujorin e tretë të shtatzënisë, megjithatë mund të ndeshet më herët tek nënat mbipeshë ose tek ato nëna që presin më shumë se një fëmijë.

– Dhimbje shoqëruar me gjakderdhje vagjinale. Fatkeqësisht 15-20% të të gjitha shtatzënive dështojnë, prandaj sinjale të tilla duhet t’i merrni shumë seriozisht. Gjakosja e lehtë është normale, por nëse vazhdojnë më gjatë dhe në sasi të konsiderueshme, duhet patjetër të telefononi mjekun gjinekolog.

Burimi: Self