Në mbrëmjen e 58 të ndarjes së çmimeve Grammy Awards në Los Anxhelos reperi nga Comptoni Kendrick Lamar cilësohet se ka dhënë një nga performancat më të fuqishme ndonjëherë.

Ai hyri në skenë i prangosur dhe me veshje të burgut, i mbështetur me një prapavijë të imazhit të burgut, duke kënduar këngën “The Blacker the Berry”, që është pjesë e albumit që fitoi Grammy “To Pimp a Butterfly”, transmeton Koha.net shkrimin e Billboard. Kur dritat u fikën, Kendrick dhe “të burgosurit” e tjerë shkëlqyen në një efekt të ndriçimit në errësirë.


LL Cool J, organizator i Grammy Awards ka thënë se paraqitja e tij ishte e jashtëzakonshme, një art i cili zgjon biseda ndërmjet njerëzve, që është qëllimi kryesor i artit.

“Arti ekziston për këtë arsye, nuk është nëse pajtoheni apo jo, është për stimulimin e bisedave dhe provokimin e njerëzve që të flasin për shoqërinë”, ka thënë ai.

Lamar, i cili ishte i nominuar në 11 kategori, mori pesë çmime Grammy për Albumin më të Mirë Rep, Këngën më të Mirë Rep, Bashkëpunimin më të Mirë Rep, Performancën më të Mirë, dhe Videon më të Mirë.