Keçi akuzon gjyqtarët për referim katastrofal

Prishtina dje në Kishnicë mundi Hajvalinë me rezultat 3-2, në kuadër të Raiffeisen Superliga e Kosovës në futboll.
Kreu i bankinës së Hajvalisë, ka thënë se gjykimi ishte katastrofal. Ai mendon se gjyqtarët të tillë nuk e meritojnë të ndajnë drejtësinë në Superligë.
“Gjykim tendencioz, katastrofal. Një gjyqtar që i merr shtatë ‘katërshe’ dhe vije këtu dhe luan me të dyja skuadrat. Kësi gjyqtari nuk e meriton Superliga. Këtë gjyqtar e kam pasur edhe shok, por nga sot nuk e meriton më. Të jap karton të kuq dy shokëve, kjo ndodh vetëm te Besfort Kosumi. Unë mund të dënohem, por kësi gjyqtari nuk e meriton Superliga e Kosovës”, ka thënë Keçi për faqen zyrtar të Prishtinës.
“Prishtina nga tre gjuajtje, prej tyre dy penallti, ka shënuar tre gola, tjetër gjë nuk ka pasur. Ju e shihni ndoshta ndryshe e unë e shoh ndryshe lojën dhe prej një mori rastesh që patëm nuk konkretizuam. Kjo është Superliga, i ka këta futbollistë që i kemi dhe që nuk mund të shtyjnë topin në rrjetë nga gjysmë metri dhe jo vetëm te skuadra jonë. Prishtinës i uroj fitoren”, theksoi Keçi.
Edhe pas kësaj humbje, Hajvalia mbetet në krye të tabelës më 20 pikë të tubuara, kurse Prishtina zë vendin e katërtë më 18 pikë. /Telegrafi/



















































