LAJMI I FUNDIT:

KDI: Partitë politike në 2016-në morën nga shteti 4.2 milionë euro 

KDI: Partitë politike në 2016-në morën nga shteti 4.2 milionë euro 

Në kuadër të javës Kundër Korrupsionit, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI),  ka prezantuar sot në një konferencë për media, një analizë të shkurtër mbi financimin e subjekteve politike në Kosovë.

Florent Spahija nga KDI, ka theksuar se Kosova sapo ka kaluar dy procese zgjedhore, zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet lokale, dhe transparenca e subjekteve politike vazhdon të jetë në nivel jo të duhur.

“Sipas analizës del që subjektet politike në lidhje me financimin kanë disa të drejta dhe kufizime.  Subjekteve parlamentare nga buxheti shtetëror në vitin 2016 ju janë ndarë 4.2 milionë euro. Kuvendi i Kosovës në çdo vit kalendarik ndanë deri në 0.34% të shumës së përgjithshme të buxhetit të shtetit për subjektet politike parlamentare”, ka sqaruar ai.


Spahija ka bërë të ditur se nga analizimi i ndarjes së buxhetit për subjektet politike del se në vitin 2016 subjekti politik PDK ka pranuar 1 milion e 295 mijë euro, LDK 1 milion e 50 mijë euro, LVV ka pranuar 560 mijë euro, AAK ka pranuar 385 mijë euro, Lista Serbe ka pranuar 315 mijë euro dhe subjektet e tjera.

“Subjektet politike mund të pranojnë donacione nga personat fizikë deri në 2000 euro për një vit kalendarik ndërsa nga personat juridik deri në 10 mijë euro për një vit kalendarik, burim shtesë për subjektet politike është edhe anëtarësia e tyre që nuk duhet të kaloj vlerën e 12 eurove në vit. KDI ka hulumtuar nëse subjektet politike kanë treguar se si janë shpenzuar buxhetet përgjatë një viti (2013 – 2016) apo në kohë fushatash (2013 dhe 2014), por jo të gjitha subjektet ishin transparente”, ka shtuar ai.

Lidhur me këtë ka bërë të ditur se PDK si subjekti politik që ka pranuar më së shumti buxhet nuk ka ueb faqe dhe nuk i ka paraqitur askund shpenzimet e tyre. “KDI gjatë dy palë zgjedhjeve të fundit ka dërguar pyetësor në lidhje me buxhetin e këtij subjekti politik për shpenzimet në fushatat zgjedhore, por një asnjë rast nuk ka pranuar përgjigje nga PDK”, ka potencuar Spahija.

LDK si subjekti i dytë politik që ka pranuar më shumë buxhet nga shteti, ka thënë se ka bërë publike së fundmi raportet mbi shpenzimet e atij buxheti si dhe raportet për fushatat zgjedhore për 2013 (zgjedhjet lokale) dhe 2014 (zgjedhjet nacionale).

“KDI në këtë vit ka dërguar në dy palë zgjedhje në lidhje me shpenzimet e fushatave. Për zgjedhjet nacionale KDI nuk ka pranuar pyetësorin e plotësuar, por për ato lokale LDK ka qenë e hapur dhe ka treguar se sa ka buxhet për fushatë dhe si do ta shpenzoi atë. KDI do monitoroi nëse raportim ka qenë i saktë pasi që të bëhet publik raporti financiar mbi shpenzimet e fushatës”, ka thënë Spahija.

Më tej ka njoftuar se LVV,  i ka publikuar raportet financiare nga 2013 deri në 2015, por jo edhe atë të 2016. LVV-ja ka thënë se  ka bërë publike raportet financiare të fushatave zgjedhore nga viti 2013 dhe 2014. “KDI gjatë fushatave zgjedhore të fundit, i ka dërguar LVV-së dy pyetësorët në lidhje me shpenzimet që do ti kenë në fushatë, por në asnjë rast nuk ka pranuar përgjigje në pyetësorin e dërguar”, ka potencuar Spahija.

Po ashtu ka bërë të ditur se subjekti AAK, i ka publikuar të gjitha raportet financiare nga 2013 deri në 2016 por nuk ka publikuar raportet financiare të dy fushatave zgjedhore 2013 dhe 2014.  “KDI ka dërguar pyetësorin edhe tek AAK për përgjigje se sa do të shpenzojnë në dy fushatat zgjedhore të vitit 2017, por në asnjë rast nuk ka pranuar përgjigje nga AAK”, njoftoi ai.

Gjithashtu tregoi se Lista Serbe nuk ka publikuar asnjë raport financiar nga viti 2013 dhe se KDI e ka kontaktuar dhe dërguar pyetësorin për shpenzimet e fushatës zgjedhore, por nuk ka pranuar asnjë informatë.

NISMA është subjekti tjetër politik i cili në vitin 2015 i ka bërë publike shpenzimet por jo edhe të viteve tjera. KDI ka dërguar pyetësor edhe tek ky subjekt politik, dhe vetëm për zgjedhjet lokale ka marrë përgjigje se sa buxhet kanë ndarë dhe se si do të shpenzohet ai.

“Mungesa e auditimit të raporteve financiare ka qenë arsyetimi kryesor për mos publikimin e raporteve financiare që subjektet politike kanë paraqitur para publikut. Për më shumë se 4 vite Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të zgjedh auditorët për auditimin e financave të subjekteve politike. Këtë vit Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur auditorët”, ka thënë Spahija.

Rekomandimi kryesor i KDI në lidhje më këtë çështje sipas tij, është që mandati i prokurimit të kompanive të auditimit duhet t’i kthehet KQZ-së, në mënyrë që pengesat politike të mos jenë arsye për vonesat e përvitshme.

“Rekomandim tjetër i KDI është që llogaritë bankare dhe pasqyrat e subjekteve politike të publikohen dhe të jenë të qasshme për publikun. KDI konsideron se duhet të sqarohen dispozitat që kërkojnë nga subjektet politike të publikojnë versionet e pa-audituara të raporteve”, ka shtuar Spahija. /Telegrafi/