KB Besa licencohet, Drita mbetet jashtë Superligës

Klubi i basketbollit, Besa nga Peja është licencuar të luaj në edicionin 2014/15 në ETC Superligën e basketbollit kosovar, duke u bërë vetëm ekipi i shtatë pjesëmarrës në elitën e basketbollit.
KB Besa ishte përjashtuar nga bordi i FBK-së, i cili edhe kishte hedhur shorti i garave për edicionin 2014/15, por më pastaj është amnistuar për hir të interesimit, intervenimeve të personaliteteve apo edhe zgjimit të bordit të FBK-së për gabimin që po bënte duke përjashtuar një skuadër.
“Bordi i FBK-së, ka konstatuar se KB Besa e ka shfrytëzuar afatin shtesë për përmbushje të obligimeve financiare dhe kritereve për licencim. Bordi ka kontstatuar se KB Besa ka bërë paraqitjen e ekipeve të kategorive të reja dhe ka paguar edhe depozitet për këto kategori për sezonin 2014/15 duke përmbushur kështu të gjitha kriteret financiare për licencim”, thuhet në vendin e sotëm të Federatës së basketbollit të Kosovës (FBK).
Megjithatë e njëjta nuk thuhet edhe për ekipin e vetëm gjilanas të basketbollit, KB Drita.
“Bordi, me keqardhje, konstatoi se KB Drita nuk e ka shfrytëzuar afatin shtesë për përmbushje të kritereve për licencim. Përkundër dëshirës së FBK-së dhe kontakteve të vazhdueshme me kreun e KB Dritës, Kuvendin Komunal të Gjilanit, ish basketbollistë dhe aktivistë të këtij klubi si dhe tentimeve të tifozëve të këtij klubi për të bërë diçka më shumë, FBK nuk ka pranuar asnjë pagesë ose dëshmi konkrete se KB Drita mund të organizohet dhe mund të garojë në ETC Superligë sipas kritereve që kërkohen për sezonin 2014/15. Përtej kësaj KB Drita nuk ka paraqitur asnjë ekip të gjeneratave të reja për këtë sezon, që është fakt shumë shqetësues për FBK-në dhe rrethanë vështirësuese për licencimin e tyre”, thuhet në vendimin e FBK-së, transmeton Sporti1.
Në këtë situatë me shtatë skuadra (numër tek), FBK-ja spekulohet se do t’i krijojë favor Yllit të Suharekës ta kthej në elitën e basketbollit kosovar, megjithatë kjo mbetet të shihet në ditët në vazhdim. /Telegrafi/




















































