Katy Perry ironizon ish-partnerët gjatë koncertit, kthen jetën private në spektakël


Katy Perry ka tërhequr vëmendjen gjatë koncertit të saj në festivalin O Son do Camino në Santiago de Compostela të Spanjës, ku solli një moment që u interpretua si një thumbim ndaj disa prej ish-partnerëve të saj.
Gjatë interpretimit të këngës “Never Really Over”, këngëtarja 41-vjeçare përdori një iPhone gjigant si pjesë të performancës.
Në ekran shfaqeshin telefonata hyrëse nga emra që lidhen me ish-të dashurit e saj, të cilat ajo i refuzonte me humor para publikut, shkruan DailyMail.

Mes tyre ishte edhe Diplo, me të cilin pati një lidhje të shkurtër në vitin 2014. Më pas në ekran u shfaqën inicialet JM dhe OB, që fansat i lidhën me John Mayer dhe Orlando Bloom.
Perry i dërgoi të dyja telefonatat në sekretari telefonike, ndërsa vazhdonte të këndonte vargjet e “Never Really Over”.

Në fund u shfaq telefonata nga JPJT, që i referohet Justin Pierre Justin Trudeau. Ndryshe nga të tjerat, Perry shtypte vazhdimisht butonin e pranimit.
Kjo vjen pasi artistja ka pranuar së fundmi se ndihet e “transformuar” nga marrëdhënia me ish-kryeministrin kanadez, me të cilin nisi romancën në korrik 2025, pas ndarjes nga Orlando Bloom.

Në një intervistë të fundit për podcastin “Unfamous”, Perry foli edhe për ndarjen nga Bloom, me të cilin ka vajzën Daisy Dove.
Ajo e përshkroi vitin e kaluar si të vështirë, por tha se zgjodhi ta përjetonte dhimbjen dhe të mësonte prej saj, në vend që të ndihej viktimë. Sipas këngëtares, vendosja e kufijve dhe respekti për veten kanë qenë çelësi për të ecur përpara. /Telegrafi/














































