LAJMI I FUNDIT:

Kategorizohu dhe punësohu!?

Përveç situatës së pavolitshme sociale-ekonomike në Kosovë, ku kemi të bëjmë me papunësi dhe varfëri të lartë (mbi 45 për qind), ka edhe probleme të natyrave të tjera që kërkojnë të identifikohen. Përderisa të papunët kërkojnë të gjejnë një vend pune, të punësuarit kërkojnë kushte më të mira për punë dhe arritjet e tyre profesionale të vlerësohen drejt.

Në 13 vitet e fundit, në periudhën tranzicionale nëpër të cilën po kalon Kosova, mësuam shumë gjëra që më parë si kishim mësuar; mësuam se si avancohen në punë tipa të njerëzve që kanë shumë më pak vlera profesionale etj., në raport me të tjerët. Këto kategori që do t’i shtjellojmë tani, janë mjaftë të pranishëm në institucionet publike në vendet në tranzicion, si: të dëgjueshmit, servilët dhe militantët e partive politike.


Këto tri kategori të njerëzve në teori janë të lidhur ngushtë njëri me tjetrin, por në praktikë dallojnë. Që të tri këto janë shumë të pranishëm në Kosovë dhe gjithashtu të vlerësuar lartë nga individë dhe klane të caktuara.

Në tipin e parë hynë ata njerëz që = siç thonë në popull – nuk janë as për veti as për n’gjeti, por kanë vetëm një veti, pra janë të dëgjueshëm. Çka do që ju ofrohet kësaj kategorie, pothuaj se janë në gjendje ta pranojnë edhe atëherë kur nuk duhet pranuar. Çdo urdhër që e marrin nga eprorët e tyre e zbatojnë me përpikëri, për arsye se nuk janë në gjendje t’i analizojnë mirë përgjegjësit që kanë në punë dhe pasojat e mundshme që mbartin mbi zbatimin e asaj urdhërese, ose nga pamjaftueshmëria morale në rend të parë dhe profesionale e intelektuale pastaj.

Por, nuk duhet të harruar se te ky tip i njerëzve kemi të bëjmë edhe me një nëntip (nënkategori) të të dëgjueshmëve e që janë të dëgjueshmit obligativ. Te kjo nënkategori e njerëzve ka nga ata njerëz që kanë të gjitha vetitë morale dhe intelektuale, por kanë mungesë të përkrahjes nga të ashtuquajturit peshqit e mëdhenj (elita politike në vend) e që për kohën dhe vendin kjo e fundit pothuaj se është bërë domosdoshmëri – fatkeqësisht në njërën anë, dhe në anën tjetër duhet të jenë të dëgjueshëm obligativ, ngase përmes urdhërdhënësve kanë arritur në pozitat në punë që aktualisht i mbajnë dhe s’kanë kah t’ia mbajnë.

Tek një pjesë shoqërisë që hynë në nëntipin e të dëgjueshmëve obligativ, është edhe një dukuri që rëndon mbi ta, e kësaj i thonë situata e rëndë sociale ekonomike. Pra, këtu vjen në shprehje ose duhesh të pranosh të jesh i dëgjueshëm dhe të vazhdosh të punosh. ose të përballesh me ekzistencën (të mbetesh i papunë). Kjo e fundit ndonjëherë të bënë të pranosh edhe më të keqën e mundshme që nuk e dëshiron.

Ndërsa, sa i përket tipit të dyte të njerëzve, këtu kemi të bëjmë me ata që për nga esenca kanë shumë ngjashmëri me tipin e parë, por në praktikë dallojnë njëra nga tjetra. Te ky tip i njerëzve përveç tjerash mungon morali dhe në të shumtën e rasteve edhe profesionalizmi. Këta njerëz me vetëdije të plotë janë në gjendje të bëjnë gjithçka të keqe në dëm të institucioneve publike, vendit dhe shoqërisë në përgjithësi, vetëm e vetëm që t’i realizojnë pikësynimet e veta. Pra, kjo kategori e njerëzve janë shumë të rrezikshëm dhe të urryer nga shoqëria, sepse për interesa të ulëta të caktuara – personale apo për interesa të grupit të caktuar. pjesë e të cilit janë vetë ata – janë në gjendje të shkatërrojnë gjithçka që kanë para vetës, vetëm e vetëm që t’i realizojnë interesat e veta dhe grupit pjesë e të cilit janë. Ky tip apo kategori e njerëzve nuk e ka aspak problem të përshtatet në çfarëdo kohe në grupe me ndikim në jetën publike dhe për çfarëdo sistemi politik që vjen më pastaj. Ky tip i njerëzve është i pranishëm kudo në botë, mirëpo më së shumti vjen në shprehje tek ato vende të cilat janë në fazën e tranzicionit apo në ato shoqëri ku nuk mbizotëron rendi dhe ligji.

Ndërkaq, në tipin e tretë të njerëzve që avancohen lehtë nëpër pozita në punë hynë militantët e partive politike. Te kjo kategori e njerëzve kemi të bëjmë me një situatë pak sa më ndryshe, për faktin se çdo njeri i cili punon në një organizatë të caktuar, në rastin konkret për subjektin e caktuar politik, ka për qëllim që të arrijë pozita të larta udhëheqëse dhe kjo është shumë e natyrshme. Mirëpo, se sa kjo kategori e njerëzve pretendojnë të kenë pozita meritore në punë, kjo është një çështje në vete që kërkon analizë më tutje. Thënë troç, në rastin konkretë, të Kosovës. kjo ka fare pak rëndësi. E rëndësishme është të kapen pozitat e larta udhëheqëse.

Në këto qaste mu kujtua njëri nga ish ministrat në Qeverinë e Kosovës, kur thoshte: “Ka ministra në qeverinë e Kosovës, që sa herë zgjohen në mëngjes e shikojnë vetën në pasqyre dhe pyesin a është e mundshme që unë jam ministër”?

Realisht, te kjo kategori (militantët e partive politike) e njerëzve kemi një situatë të hidhur në Kosovë. Sot, në shumicën e institucioneve publike, në pozita të larta udhëheqëse (profesionale) janë militantë të partive politike, e për keqardhje është se kjo kategori ka nxënë vend edhe në institucionet shëndetësore dhe edukativo-arsimore, institucione këto të fundit që nuk do të duhej të politizoheshin. Punësimi i militantëve jo meritorë nëpër pozita të larta udhëheqëse-profesionale, deri te ato pozitat më të ulëta në punë, i ka shkaktuar dhe po i shkakton dëme të mëdha institucioneve publike dhe vendit në përgjithësi, duke mos ofruar punë (shërbime) cilësore në hap me kohën.

Për dallim nga vendet e zhvilluara, ku më së shumti vjen në shprehje diskriminimi racial (mbi baza të racizmit) në punë dhe atë në shkallë të kufizuar dhe në mënyrë verbale, në vendet në tranzicion – siç është rasti i Kosovës -në të shumtën e rasteve vjen në shprehje injorimi i vlerave profesionale etj. Në situata të këtilla, pa dyshim se vjen në shprehje urrejtja ndërnjerëzore, institucionale dhe mbi të gjitha cilësia në shkallë të ultë e punës.

Një ndërmarrje pa diskriminim forcon komponentin e kënaqësisë në punë, si motivimi për punë, kolegialiteti dhe identifikimi me ndërmarrjen. Kjo shpie deri te ngritja e produktivitetit, efektivitetit dhe fitimit për një ndërmarrje. Po ashtu, një ndërmarrje që s’ka diskriminim, fiton një stabilitet të caktuar dhe një imazh të mirë.