LAJMI I FUNDIT:

Kastrati i PDK-së sulmon Kurtin për Asociacionin dhe e akuzon për korrupsion

Kastrati i PDK-së sulmon Kurtin për Asociacionin dhe e akuzon për korrupsion

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ardian Kastrati, gjatë intervistës në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com ka folur për draft Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke kritikuar politikbërjen e kryeministrit Kurti.

Kastrati tha se kjo qeverisje është përfshirë në korrupsion e hajni dhe, siç u shpreh ai, në Kosovë nuk ka vende të reja të punës.


“Nuk duhet të biem në grackat e Albin Kurtit dhe të Liburn Aliut… Ekonomi nuk ka. Vende të reja të punës nuk ka. Hajni, korrupsion sot dush… Hajni me rezerva shtetërore, Hajni me këtë tipin 7,500 euro, me artistin Gani Jakupin. Hajni me rezerva shtetërore. Hajni me Martirin. Hajni me Nagip Skenderin, vende të reja të punës jo”, ka thënë ai.

Tutje Kastrati tha se Kurti po e përdor Liburn Aliun me deklaratat e fundit që ka thënë në media.

Ardian Kastrati nga PDK /Foto: Ridvan Slivova/

“Natyrisht që Albin Kurti merr ekipin e vet të stalinistëve nga Tirana. E bën një skenar të ri dhe i thotë Liburnit, ‘kqyre ti ashtu – kështu je tu vjedhë shumë atje, se po ki shtëpia nëpër Marigona Hill e tjera, tjera. Dil gjuaje një flluskë të madhe që ky shtet është i përkohshëm dhe kjo ndoshta mund të jetë karta e vetme nacionale, me të cilën mjet mund të hyjmë në zgjedhjet e ardhshme, sepse s’kemi ofertë ekonomike. A po më kupton, dil hidhe këtë flluskë’ “, u shpreh Kastrati.

Kastrati me akuza të rënda ndaj zyrtarëve qeveritarë: Kurti 'rrenci' më i madh e Bislimi 'hajn'
Lexo po ashtu Kastrati me akuza të rënda ndaj zyrtarëve qeveritarë: Kurti 'rrenci' më i madh e Bislimi 'hajn'

Sipas tij, logjika e Albin Kurtit ka qenë “ ‘ta rrënojmë çdo gjë, s’ka shtet’. E pastaj kur vjen në pushtet ‘bëj çka du’ “.

Kastrati u shpreh se në momentin që është nënshkruar marrëveshja e Brukselit dhe e Ohrit për draft Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i gjithë procesi i së kaluarës është përmbysur.

Ardian Kastrati nga PDK gjatë emisionit “Përballje” /Foto: Ridvan Slivova/

“Ky po rren shumë, sepse ato marrëveshje janë përmbysë. Në momentin kur është nënshkruar marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit, është përmbysë komplet ai proces i së kaluarës. Por, logjika e procesit që me shku në fund me njohje është përmbysë me nenin 7. Neni 7 është risia që e ka përmbysë komplet atë proces sa ka zgjatë”, theksoi ai.

Kastrati foli për rolin e PDK-së në tejkalimin e kësaj situate.

“Si deputet, unë kam qenë shumë konsistent në qëndrimet e mia, me u mundu me shpërfaqë dinakërinë, cinizmin me rrena të mashtrimit të Albin Kurtit që nga këto politika të jashtme deri te ato të brendshme. Partia nuk është që s’ka qenë konstruktive prej fillimit… Në momentet më kritike për Kosovën, kur dizajnohej kjo farë autonomie, s’ka të bëjë me atë Asociacion e 2015-ës. Momentintjetër më kritik, kur veç u finalizu kjo autonomi me kompetenca ekzekutive që po ia lëmë trashëgimi fëmijëve tanë, ky [Kurti] dilte e thoshte aty ‘Isa e Hashimi”… Po s’jemi duke fol për politika të sportit e arsimit pa e nënçmua, apo të ambientit e të ekonomisë. Jemi duke fol për diçka që kemi me ua lënë trashëgimi fëmijëve tanë”. /Telegrafi/