LAJMI I FUNDIT:

Kanë fatin e tyre … edhe botimet

Kanë fatin e tyre … edhe botimet
Marcel Proust

Nga: Aurel Plasari

Romani në shtatë vëllime “Në kërkim të kohës së humbur” është jo vetëm kryevepra e shkrimtarit Marcel Proust, por pranohet tanimë si njëra nga kryeveprat më të rëndësishme të letërsisë botërore të të gjitha kohëve. Ka tekste që e vlerësojnë madje si “vepra më madhështore e të gjitha kohëve”, me siguri për nga struktura e saj jashtë të zakonshmes, për të cilën e kanë emërtuar edhe “vepër katedrale”. Megjithëkëtë, pesha e saj në historinë e kulturës botërore qëndron tek aspektet letrare-filozofike, veçan për ç’i përket hulumtimit të elementeve prej të cilave përbëhet koha me synim orvatjet për t’i ikur rrjedhës së saj. Etj.


Mirëpo, ja që fati i saj me “recensuesit” e shtëpive botuese ka qenë paradoksal.

Më 1912, kopjen e daktiloshkruar të vëllimit të parë të romanit Prousti e dërgoi te “Fasquelle”, që njihej si botues i Émile Zolas, Edmond Rostandit etj. Recensuesi që do ta miratonte ose çmiratonte për botim dha mendim krejt negativ. Në recensionin e tij lexohet mes të tjerash: “Mbas 712 faqesh të këtij dorëshkrimi – mbas pikëllimesh pafund për zhvillimet e padepërtueshme në të cilat duhet të kridhesh dhe momentesh acaruese padurimi për nga pamundësia për të dale në sipërfaqe – njeriu nuk ka kurrfarë ideje se për çfarë bëhet fjalë. Ç’qëllim ka e gjitha kjo? Ç’domethënie ka? Ku do të dalë? E pamundur ta marrësh vesh dhe të thuash gjësend”.

Një tjetër kopje të daktiloshkruar Prousti ia dërgoi revistës me emër të madh “Nouvelle Revue Française”, të themeluar nga një grup intelektualësh, mes të cilëve shkrimtari André Gide dhe administratori Gaston Gallimard. Leximi iu besua pikërisht Gideit. Ai i kaloi një sy dhe e hodhi poshtë, ndoshta i ndikuar edhe nga një nam prej mondani dhe snobi që kishte Proust-i në qarqet letrare.

Prousti nuk u dorëzua: I dërgoi një kopje shtëpisë botuese “Ollendorf”. Recensuesi i ngarkuar me gjykimin dha edhe ai mendim negativ me një fjali që ka mbetur e famshme: “Mbase jam krejt budalla, por nuk e kuptoj dot se si ky zotëri mund të shpenzojë tridhjetë faqe për të përshkruar se si sillet e vërtitet në shtrat para se të të zërë gjumi”.

Më në fund, në shkurt 1913, Prousti iu drejtua botuesit rishtar Bernard Grasset, duke i ofruar t’i përballonte vetë shpenzimet e botimit dhe të publicitetit, ndërsa botuesit do t’i takonte një përqindje nga fitimet. Marrëveshja funksionoi: botuesi as që përdori “recensues” dhe romani “Në kërkim të kohës së humbur” filloi kështu udhëtimin e tij të mrekullueshëm.

Tregohet se, ndër recensuesit, vetëm André Gide e kuptoi gabimin duke u bërë ai vetë rekomanduesi që bindi edhe Gallimardin për të botuar të gjitha vëllimet e tjera të veprës, tri të fundit mbas vdekjes së autorit.

Nuk e tregoj si anekdotë, sa për kureshtje. E kujtoj për shumë që i lexoj të ankohen për refuzimet nga ana e botuesve, ose për tërheqjen e botuesve nga “pamundësia financiare” etj. Njihet shprehja latine “habent sua fata libelli”: “kanë fatin e vet librat”. Ja që “fatin e vet” kanë edhe botimet.

Në jeni të bindur për vlerën e punës suaj, mos u dorëzoni, paguani vetë, sakrifikoni e shpenzoni, koha do t’ju japë të drejtë ose jo, pavarësisht në do të rezultojnë ose jo kryevepra, Proustër nuk mund të jenë të gjithë!

E jep këtë këshillë dikush që e ka provuar vetë, dikur, një aventurë të tillë dhe ka dalë fitimtar, deri edhe “shpezat” i janë kthyer.