Fushata parazgjedhore për kryetar shteti ka filluar më 1 prill, ndërsa kandidatët të cilët synojnë të udhëheqin me shtetin edhe gjatë ditës së djeshme kanë vazhduar aktivitetet e tyre.

Blerim Reka, Gordana Siljanovska dhe Stevo Pendarovski dje kanë realizuar takime me qytetarët në për vende të ndryshme, të cilat Telegrafi Maqedoni jua sjell të përmbledhura në një vend.

Kandidati që përkrahet nga partitë opozitare shqiptare Blerim Reka, gjatë ditës së djeshme ka qëndruar në Komunën e Haraçinës, ku ka qenë i shoqëruar edhe nga Ziadin Sela dhe Bilall Kasami.

Gjatë fjalimit të tij, Reka tregoi rëndësinë e kandidimit të tij dhe rëndësinë e Haraçinës gjatë periudhës së fundit.

““Haraçina kreshnike, e cila nuk u përkul në vitin 2001 dhe nuk do të përkulet as ne 2019. Kandidimi im ka edhe simbolikën e bashkimit të shqiptarëve dhe kjo shihet edhe nga fjala që e unë e përdori nga besë-lidhja që vjen nga dy subjektet politike që përkrahën kandidimin tim. Me këtë shqiptarët do ta zhdukin kompleksin e inferioritetit. Deri tani na thuhet se këto partitë që janë në pushtet ofrojnë shoqëri për të gjithë por ne duam shtet për të gjithë, ndërsa sot shteti nuk është për të gjithë. Mos pranoni oferta që janë të kamufluara për shkak se ato janë të dëmshme për shqiptarët. Nuk duhet të bëhemi makineri votuese, ju keni fuqinë që të zgjidhni se kënd dëshironi të votoni: vëllanë ose kojshitë. Të tjerët ju thoni se duhet ta votoni kojshinë në vend të vëllait, unë ju them votoni vëllanë. Ju nuk do të tradhtoni mundin dhe veprën që e arritët ne 2001”, tha mes tjerash Reka.

Kandidatja e partisë opozitare maqedonase Gordana Siljanovska, dje ka qëndruar në Negotinë ku edhe kërkoi mbështetje nga qytetarët e këtij vendi.

Ajo në fjalimin e saj e kritikoi pushtetin për shkak të mos intonimit të himnit maqedonas gjatë vizitës së kryeministrit grek Alexis Tsipras.

“Derisa jemi të gjallë himni do të jetë me ne. Kuptohet, ata mund të mos e intonojnë por presidentja e ardhshme e Maqedonisë nuk do të dalë para asnjë të huaji, pa mos e dëgjuar himnin e Maqedonisë. Lavdërohen me evropianizim, na kritikojnë se jemi anakronizëm, se jetojmë në të kaluarën, se nuk shikojmë kah Evropa. Kjo nuk është e saktë. Në Evropë nuk shkohet pa sundimin e së drejtës, nuk shkohet me krim dhe korrupsion, nuk shkohet me punësim të familjarëve”, tha mes tjerash Siljanovska.

Ndërsa kandidati i partive në pushtet Stevo Pendarovski, dje ka mbajtur konventë promovuese në Shkup, prej ku edhe kërkoi votat e qytetarëve.

Ai tha se me reformat e realizuara nga pushteti, presin që të marrin datë për fillimin e negociatave me BE-në.

“I kemi zgjidhur gjitha çështjet edhe në interes të kombit edhe në interes të shtetit. Dhe gjitha problemet do t’i zgjidhim nëse jemi pjesë e botës demokratike dhe pjesë e NATO-s dhe BE-së. Duhet të vazhdojmë së bashku përpara, të mos luajmë me fatin e shtetit tonë. Jemi lodhur nga zgjedhjet, por duhet të bëjmë përpjekje”, tha mes tjerash Pendarovski.

Ndryshe, edhe gjatë ditës së sotme tre kandidatët për kryetar shteti do të vazhdojnë aktivitetet në kuadër të fushatës parazgjedhore, ndërsa theksojmë se zgjedhjet presidenciale do të mbahen më 21 prill./Telegrafi/