LAJMI I FUNDIT:

Kandidatët për drejtor dogane – s’dinë anglisht!

Kandidatët për drejtor dogane – s’dinë anglisht!

Një memorandum i nënshkruar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri Isa Mustafa dhe ambasadori britanik Ruari O’ Conell, për përzgjedhjen e kandidatëve për postet e larta, duket se nuk po jep rezultate.

Pas këtij memorandumi, një kompani britanike kishte filluar punën në monitorimin e konkurseve në postet e larta. Konkursi për përzgjedhjen e drejtorit të doganës ishte puna e parë e kësaj kompanie.


Televizioni publik ka siguruar raportin e partnerit implementues, i cili pavarësisht se ishte ftuar për të siguruar transparencë në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve në poste të larta, ka vepruar ndryshe.

Dy personat e propozuar për drejtor të Doganave të Kosovës – nga tre sa i janë dërguar kryeministrit për këtë pozitë – nuk e përmbushin kriterin e domosdoshëm të konkursit për njohje të gjuhës angleze, thuhet në raport.

“Përfaqësuesit partnerit implementues kanë shqetësime të mëdha në lidhje me nivelin e aftësisë në gjuhën angleze të dy kandidatëve, Kujtim Qafleshi dhe Valdete Krasniqi”, thuhet në raport.

Mirëpo, pavarësisht kësaj, ata propozohen si emra për drejtor të Doganës së Kosovës.

Një detaj tjetër që e bënë të dyshimtë punën e kësaj kompanie e qe thuhet në raport është se disa prej kandidatëve kanë qenë në dijeni për pyetjet që do t’u parashtroheshin nga paneli intervistues.

RTK i ka dërguar një e-mail zyrtar Zyrës për Demokratizim, Qeverisje te mirë dhe Anti-Korrupsion, në lidhje me raportin dhe rekomandimin që ka bërë për zgjedhjen e personave për drejtor të doganës së Kosovës. Mirëpo, e njëjta ende nuk është përgjigjur në pyetjet e parashtruara.

Siç merr vesh televizioni, dy anëtarët e partnerit implementues nuk kanë përvojë në procesin e funksionimit të doganave.