LAJMI I FUNDIT:

Kalon mocioni i LVV-së, Projektligji për Paga dhe ai për Zyrtarët Publikë shqyrtohen në Kuvend më 22 dhjetor

Kalon mocioni i LVV-së, Projektligji për Paga dhe ai për Zyrtarët Publikë shqyrtohen në Kuvend më 22 dhjetor

Ka kaluar në Kuvendin e Kosovës mocioni i propozuar nga LVV, për t’u shqyrtuar në afate të përshpejtuara kohore projektligji për Zyrtarët Publikë dhe atij për Paga.

Me 64 vota pro ka kaluar mocioni i propozuar nga LVV që shqyrtimi i projektligjit për paga në sektorin publik të bëhet me shmangie nga afatet që parasheh rregullorja e Kuvendit.


Kësisoj, dy projektligjet do të shqyrtohen në lexim të dytë të enjten e 22 dhjetorit.

“64 deputetë votuan, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Kalon mocioni, Kuvendit ka miratuar propozimin që shqyrtimi i projektligjit për zyrtarë publik të bëhet me shmangie nga afatet procedurale të parapara sipas rregullores”, tha kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme për t’u shqyrtuar në afate të përshpejtuara kohore të projektligjeve për zyrtarët publikë dhe atij për paga, që të hyjnë në fuqi qysh në shkurt me koeficientë të rinj.

Ajo ka deklaruar të enjten se kjo seancë është thirrur për t’u shqyrtuar dhe miratuar kërkesa për shmangie nga afatet procedurale.

“Kuvendi më 9 dhjetor ka miratuar 2 projektligje, për zyrtarë publikë dhe për pagat në sektorin publik. Ne deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kërkojmë këtë seancë për të shqyrtuar dhe miratuar kërkesën për shmangie nga afatet procedurale, e përcaktuar me rregulloren e Kuvendit”, deklaroi Kusari-Lila.

Para Kuvendit, deputetja e VV-së u shpreh se edhe punëtorët e institucioneve publike kanë kërkuar që pagat të procedohen deri në shkurt, me koeficientet e rinj.

Shqyrtimi i afateve të këtij projektligji po bëhet në seancën kur po bëhet shqyrtimi i Buxhetit 2023. Me shqyrtim të buxhetit do të caktohet edhe vlera e koeficientit.

Partitë opozitare kanë kundërshtuar shmangien e këtyre procedurave./Telegrafi/