Kalaja merret nga brenda jo nga jashtë

Ndërsa udhëheqja dhe politikbërja me autoritarizëm e arrogancë që bën Edi Rama i takojnë të kaluarës. Duhet ditur pra se me arrogancë dhe kokëfortësi nuk mund të bëhet më politikë në kohën që po jetojmë. Prandaj zhurma e Edi Ramës do të duhej të zhvendosej nga sheshet e rrugët e të kalojë në Parlament. Për ndryshe, thembra e Edi Rames rrezikon ta marrë në qafë të gjithë partinë e tij.
Vaji dhe zhurma e së majtës dhe sidomos e kreut të saj Edi Rama në Shqipëri për humbjen e Helenës në 2005-ën vazhdon të jetë e madhe; të cilën atëkohë ia kishte rrëmbyer e djathta e Sali Berishës. Kësaj radhe Edi Rama nuk ia doli ta kthejë atë në kalanë e socialistëve që prej kohës kur ajo e kishte braktisur atë. Për pasojë, kreu i socialistëve ende s’po mund ta rimarrë veten nga plagët që pësoi në betejën e 28 qershorit, humbje e cila duket se e ka goditur rend në thembër.
Mospajtimin e tij me epilogun e 28 qershorit Edi Rama po e shpreh me bojkotimin e Parlamentit, gjë me të cilën kreu i socialistëve si duket ju ka dhënë deputetëve të partisë së tij ‘pushimin me gjatë e më të mirë’ që kanë mundur ta kenë pasur ndonjëherë. Prej asaj dite, karriget dhe tavolinat e deputetëve të partisë socialiste vazhdojnë të qëndrojnë të boshatisura në Kuvendin e Shqipërisë; e që në vend së Edi Rama të kthehet në Parlament dhe betejën e tij politike ta zhvillojë nga brenda, ai vazhdon të qëndrojë jashtë duke i ftuar anëtarët dhe përkrahësit e PS-së të dalin në protesta, e të bëjnë zhurmë, shumë shumë zhurmë, rrugëve e nëpër sheshe.
Por, kush e ka lexuar “Iliaden” e Homerit apo e ka shikuar filmin e Trojës ndonjëherë, ka pasur rastin të kuptojë dhe ta sheh se kalaja merret nga brenda. Por si duket Edi Rama nuk e ka lexuar “Iliaden” kurrë dhe as që e ka shikuar filmin “Troja” ndonjëherë. Po ta kishte bërë këtë gjë, me siguri se prej saj, tani do të kishte nxjerrë një mësim të dobishëm për vete; se kalaja merret nga brenda e jo nga jashtë, dhe me ç'rast do të kuptonte se do të duhej të futej në Parlament dhe betejën ta zhvillojë nga brenda e jo nga jashtë, siç është duke bërë tani.
Ndërkaq, faktin se kalaja merret nga brenda dhe jo nga jashtë, duket se më së miri e kuptoi kreu i demokratëve Sali Berisha, ndoshta për arsye se e ka lexuar “Iliaden” e Homerit, por se ndoshta edhe e ka parë filmin e Trojës ndonjëherë. Sidoqoftë, përpos kësaj, ai kuptoi dhe vërejti edhe diçka tjetër, se kalaja e tij përveç që mund të mbrohet nga brenda ajo mund të mbrohet edhe nga jashtë; dhe menjëherë pas betejës se 28 qershorit duke parë epilogun e ngushtë të dyluftimit mes blloqeve Aleanca e Ndryshimit dhe Bashkimi për Ndryshim, kuptoi se muret e kalasë se tij vërtet ishin dobësuar dhe kishin pësuar qarje e plasaritje nga sulmet e pa rreshtuara të së majtës me koncentrim të veçantë duke sulmuar në “krahun e Gërdecit”, në anën e “Ylli Pangos” si dhe nga krahu tjetër me shënjestër auto-rrugën Durrës-Kukës-Morinë. Mirëpo prapë se prapë, kjo nuk i mjaftojë kreut të socialistëve Edi Rames për ta kthyer helenen përsëri në shtëpi.
Në anën tjetër kreu i demokratëve Berisha, duke kuptuar dhe duke parë me kohë qarjen e mureve dhe plasaritjen e kalasë së tij nga këto sulme për këtë betejë, dhe, përveç që kuptoi se kalaja duhet të mbrohet nga brenda, për ta shpëtuar atë dhe për të vazhduar betejën, ajo tani duhej të mbrohej patjetër edhe nga jashtë. Për këtë arsye ai vendosi të zgjerojë koalicionin e tij përtej së djathtës duke e ftuar në koalicionin e tij të majtën e Ilir Metës. Me pranimin e ofertës nga Meta dhe me formimin e qeverisë së re të integrimit evropian, Berisha si duket e goditi rend në thembër Edi Ramen duke e mbajtur kështu helenen edhe për rreth katër vite larg duarve të tij.
Berisha pra, me zgjerimin e koalicionit dhe me zemërgjerësinë e tij të treguar ndaj LSI-së dhe veçanërisht ndaj Ilir Metës, i cili përveç që gëzon postin e zëvendëskryeministrit, ai tani e udhëheq edhe njërin prej dikastereve më të rëndësishme të një shteti, Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë; dhe, me kyçjen edhe të tre deputeteve të tjerë të LSI-së me poste ministrore në kabinetin e ri qeveritar, si dhe duke vendosur edhe anëtarë të tjerë të partisë nëpër pozita nën ministrore, LSI-ja arriti maksimumin e mundshëm. Më këtë gjë, Berisha duke kënaqur dëshirat e partnerit në koalicion, ka ngritur një kala të fuqishme, e cila vështirë se do të mund të merret nga protestat e Edi Ramës me zhurmë, shumë shumë zhurmë, shesheve e rrugëve Shkodrës Beratit e Tiranës.
Protestat të organizuara nga Edi Rama rrugëve e nëpër sheshe në fundjavën e kaluar ishin të zbehta. Ato nuk treguan efektet e dëshiruara për të ndryshuar diçka në të mirë të socialistëve. Prandaj qëndrimi jashtë Parlamentit i Edi Ramë nuk mund ta kthen humbjen në fitore, madje as hapja e kutive të zgjedhjeve. Fitorja pra nuk mund të kthehet duke qëndruar jashtë Parlamentit por duke u futur brenda tij, sepse përveç tjerash, pushteti në demokraci merret nga brenda e jo nga jashtë. Ndërsa udhëheqja dhe politikbërja me autoritarizëm e arrogancë që bën Edi Rama i takojnë të kaluarës. Duhet ditur pra se me arrogancë dhe kokëfortësi nuk mund të bëhet më politikë në kohën që po jetojmë. Prandaj zhurma e Edi Ramës do të duhej të zhvendosej nga sheshet e rrugët e të kalojë në Parlament. Për ndryshe, thembra e Edi Ramës rrezikon ta marrë në qafë të gjithë partinë e tij.
Qëndrimi jashtë Parlamentit më shumë se askënd tjetër e dëmton dhe e rrezikon vet drejtpërsëdrejti Partinë socialiste, dhe atë në rrezikimin e humbjes se anëtarësisë dhe elektoratit që lehtësisht -duke parë ngecjet e PS-së- të kalojnë në taborin e të majtës tjetër, atë të Ilir Metës, i cili tani nën ombrellën e përbashkët djathtisto-majtiste Berisha-Meta, po tregon një pjekuri politike dhe një performancë të mirë prej lideri. Dhe rreziku për PS-në mund të ashpërsohet edhe më shumë, në qoftë se, nga pakënaqësia e qëndrimeve të kreut të saj Edi Rama, duke mbajtur pezull partinë për të mos shkuar në Parlament, të zgjohet ndonjë rezistencë brenda PS-së dhe të copëtojë prapë ndonjë pjesë prej saj, siç ndodhi vite me parë me Ilir Metën e që në betejën e fundit të majtës i kushtoi mjaft shtrenjtë.
Qëndrimi jashtë Parlamentit edhe për arsye të tjera nuk është zgjidhje, sepse gati gjysma e Shqipërisë nuk mund të mbetet peng e një lideri autokrat e të qëndrojë jashtë Parlamentit; sepse përveç tjerash, bojkoti i Ramës duke qëndruar jashtë tij, prolongon edhe punën e kuvendit. Për këtë arsye edhe Komisioni Evropian edhe ambasadorët e shteteve të ndryshme në Tiranë, i bërën thirrje atij të mos qëndrojnë jashtë por të futet brenda në Parlament që të vazhdohet me zhvillimin e mëtutjeshëm të vendit, në nxjerrjen e ligjeve dhe vazhdimin e reformave që e ofrojnë vendin drejt integrimit evropian.
Kthimi i Edi Ramës në Parlament do të ishte më i mirë për te, me gjithë zhgënjimin e dhimbjen për mos arritjen e synimeve për ta kthyer Helenën përsëri në kalanë e socialistëve. Por megjithatë kthimi i tij do të ishte një çlirim dhe një fillim i ri për te, sepse siç thotë Kadare, më mirë një fund i dhimbshëm së sa një dhimbje pa fund.
Në ndërkohë Edi Rama ndoshta do të marrë pak kohë dhe të lexojë “Iliaden” apo së paku që ta shijojë filmin “Troja”, dhe me ç’rast të kuptojë se kalaja merret nga brenda dhe jo nga jashtë, që me këtë gjë të përgatitet më mirë për kthimin e Helenës më 2013. Deri atëherë, ai duhet të mjaftohet me postin e kryebashkiakut të Tiranës nëse për çdo rast nuk pëson ndonjë “shkurorëzim” të papritur me 2011, që me ç’rast zhurma e Berishës do të ndalej edhe më shumë, ndërkohë që zhurma e Edi Ramës do të bëhej edhe më e madhe.
Dhe për sa kohë ta kemi Ramën e Berishën, për po aq kohë do të kemi zhurmë, shumë shumë zhurmë në Shqipëri, dhe ne s’do të mund të ankohemi se s’kemi çka të shkruajmë.



































