LAJMI I FUNDIT:

Kafexholli: Më 22 tetor në Malishevë do të ndodhë ndryshimi i madh

Kafexholli: Më 22 tetor në Malishevë do të ndodhë ndryshimi i madh

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur një tubim elektoral në fshatin Atrazub të Malishevës, në të cilin kandidati për kryetar të Malishevës, Sami Kafexholli ka thënë se LDK-ja në Malishevë përherë ka qenë e përkushtuar në mbrojtjen e vlerave, në ndaljen e padrejtësive ndaj qytetarëve, nuk ka heshtur kurrë ndaj shkeljeve të shumta të ligjit nga pushteti i deritashëm, prandaj më 22 tetor duhet të ndodhë ndryshimi i madh.

“Programi ynë është hartuar në harmoni me kërkesat e qytetarëve. Pushtetarët e deritashëm keqpërdorën taksat e qytetarëve, pronën publike, politizuan çdo institucion shtetëror, prandaj duhet që sa më parë të shkojnë në shtëpi. Besimi dhe vota juaj për LDK-në do të thotë jetësimi i një qeverisjeje ndryshe nga kjo aktuale”, ka thënë Kafexholli.


Ai potencoi se do të punojmë shumë në zhvillim ekonomik, administratë profesionale, arsim e shëndetësi të papolitizuar, përkrahje të madhe për bujqësi, rend, rregull, transparencë buxhetore dhe zero tolerancë ndaj krimit e korrupsionit.

Ndërsa, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se beson që kjo parti do të fitojë në Malishevë.

“Ne besojmë se një qeverisje e LDK-së i bën mirë Malishevës. E them këtë sepse ne kemi qeverisur në nëntë komuna në katër vjetët e fundit, në komunat më të mëdha, kemi qeverisur në mënyrën më të mirë, nuk kemi pasur asnjë skandal dhe në secilën prej tyre kemi arritur rezultate të mira”, është shprehur kreu i LDK-së.

Ai ka theksuar se përkrahja e madhe për LDK-në është shumë e madhe dhe kjo është vërejtur në Podujevë, Gjilan, Pejë, Viti, Lipjan, Fushë Kosovë dhe shumë komuna tjera.

“Kemi përkrahjen e madhe, sepse ne jemi qeveria e vetme që në mandatin tonë nuk kemi pasur korrupsion, afera dhe probleme tjera. Në fakt mandatin e kemi kryer pak më herët, pasi të tjerët u frikësuan nga rezultatet tona. Kjo tregon se ne dimë të qeverisim, prandaj edhe Malisheva duhet të udhëhiqet nga Sami Kafexholli. Motoja jonë është Lidhja dhe të gjithë duhet të lidhemi me Lidhjen Demokratike, sepse në këtë mënyrë lidhemi me suksesin e vendit”, ka shtuar Isa Mustafa, duke kërkuar mobilizimin qytetar për zgjedhjet e 22 tetorit.