LAJMI I FUNDIT:

A ka vërtetë rritje reale ekonomike – opozita dhe ekonomistët ia mohojnë shifrat Qeverisë Kurti

A ka vërtetë rritje reale ekonomike – opozita dhe ekonomistët ia mohojnë shifrat Qeverisë Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar se gjatë qeverisjes së tij ka pasur progres ekonomik në Kosovë, duke numëruar rritjen e prodhimit, eksportit si dhe numrin e të punësuarve.

Kurti më anë të një shkrimi në Facebook thekson se deri më tani 40 mijë persona janë regjistruar si punëtorë më shumë, shkruan Telegrafi.

“Në vitin 2021 kishim të regjistruara 25 mijë vende pune më shumë sesa ai pararendës, kurse nga janari deri në gusht të këtij viti kemi 15 mijë vende pune më shumë”, ka shkruar Kurti.

Ai shton se për nëntë muajt e parë të 2022-së, krahasuar me periudhën e njëjtë, eksporti është shtuar më shumë se 25 për qind.

“Eksportin përgjatë periudhës janar-shtator 2022 e kemi për 25.6 për qind më të lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Rritja mesatare vjetore e eksportit gjatë periudhës janar-shtator të viteve 2008-2020 është 15.7 për qind, ndërsa rritja mesatare e eksportit në periudhën e njëjtë të dy viteve të fundit e gjatë qeverisjes sonë është 47.3 për qind”, shton ai.

Kurse, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati është shprehur se gjatë dy viteve të fundit ka pasur rritje enorme të eksporteve.

“Në vitin 2019, raporti eksport:import i mallrave ishte 1:9. Pra për çdo euro që merrej nga malli i eksportuar, nëntë euro mall importoheshin. Me rritjen enorme të eksportit dy viteve të fundit, ky raport është përmirësuar dukshëm dhe aktualisht është 1:6. Ky hendek do të zvogëlohet edhe më tej, falë masave mbështetëse për prodhuesit tanë”, ka shkruar Murati në profilin e tij në Facebook.

Për këto të dhëna të paraqitura së fundmi nga Qeveria Kurti, ka ardhur reagimi i opozitës dhe njohësve të ekonomisë.

Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa ka thënë se të dhënat e paraqitura nga Kurti janë dëshmi që qeverisja është e shkëputur nga realiteti ekonomik i vendit.

“Të dhënat e paraqitura së fundmi nga qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti për zhvillim ekonomik dhe punësim të 40 mijë qytetarëve, dëshmojnë se kabineti qeveritar është i shkëputur nga realiteti që po mbizotëron në Kosovë. Kryeministri po deklaron se ka krijuar 40 mijë vende të reja pune, por ndoshta e ka fjalën për Gjermaninë ose vendet tjera ku po imigrojnë të rinjtë tanë”, ka thënë Mustafa në një konferencë për medie.

Ai ka paraqitur disa të dhënat zyrtare të ekonomisë në vend, të cilat sipas tij i demantojnë propagandat qeveritare.

“Norma e inflacionit për produktet esenciale është mbi 20 për qind, që do të thotë se paratë në duar e qytetarëve sot vlejnë rreth 20 për qind më pak sesa që kanë vlejtur para një viti. Në këtë normë të lartë inflacioni, kontribut shumë të rëndësishëm ka dhënë refuzimi i Qeverisë së Kosovës për të ndërmarrë masa fiskale që do ta frenonin rritjen e çmimeve. Norma reale e rritjes ekonomike në tremujorin e dytë të vitit 2022 ishte vetëm 2.1 për qind, rritja e më e ulët e shënuar gjatë një tremujori të dytë që nga viti 2014, përjashtuar pandeminë në vitin 2020. Me këtë ritëm, si dhe duke pasur parasysh pritjet për krizën e energjisë gjatë dimrit, ekonomia e vendit shumë lehtë mund të shkojë drejtë recesionit. Kjo do të nënkuptonte më pak vende pune dhe më pak të ardhura për qytetarët”, ka shtuar ai.

Për kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku të dhënat e paraqitura nga Kurti janë përralla për zhvillim ekonomik.

“Albin Kurti nuk e kupton ekonominë. Por e kupton propagandën. Fatkeqësisht, propaganda nuk e bën ekonominë, por ai angazhohet vetëm për këtë të parën. Në dy vitet e tij të qeverisjes, janë thyer disa nga rekordet më negative ekonomike në vend. Tre treguesit kryesorë makroekonomik, ai i inflacionit, i deficitit tregtar e i rritjes ekonomike, japin sot pasqyrën e vërtetë në vend”, thotë Abdixhiku në reagimin e tij, përcjell Telegrafi.

Sipas tij, kryeministri Kurti nuk i njeh e as nuk i kupton hallet e qytetarëve në vend.

“Ai tregon se as nuk i njeh e as nuk i kupton hallet e qytetarëve të vet. Një kryeministër i denjë do të njihte krizën për fillim. Një kryeministër i mbarë do të pranonte vështirësitë që qytetarët kanë sot. Le të dalë të flasë me njerëzit e këtij vendi për të kuptuar papërballueshmërinë. Le të flas me punëtorë e ta kuptojë se si mbijetohet sot në këtë rritje të frikshme të çmimeve. Le të flas me ta për ikjet masive, për kolapsin në ekonomi, për krizat në arsim e dështimet në shëndetësi”, përfundon ai.

Lidhur me këto pretendime të Kurtit për rritje ekonomike, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj thotë se gjatë kësaj periudhe rritje kanë shënuar vetëm importet e mallrave nga Serbia.

“Në çdo sferë ekonomike e sociale ka rënie drastike. Rritje kanë shënuar vetëm importet e mallrave nga Serbia. Kjo Qeveri e ka kapërcyer çdo parashikim dhe importet nga Serbia prej 174 milionë në vitin 2020, kanë mbërritur në mbi 306 milionë euro, që është për 76 për qind më shumë nga viti paraprak”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se deklaratat e tilla, pa fakte, janë një ofendim për një vend e për një popull të tërë.

“Deklaratat për rritje ekonomike, pa fakte, janë ofendim për një vend e për një popull të tërë”, thekson ai.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi i ka quajtur të pasakta dhe interpretim tendencioz të dhënat e prezantuara nga kryeministri Kurti, lidhur me ekonominë e vendit.

Rukiqi ka thënë se qarkullimi i bizneseve është rritur si rezultat i inflacionit dhe jo fuqisë blerëse apo ndonjë performance më të mirë ekonomike.

“Rritja e qarkullimit, është rezultat i inflacionit (në shumicën e produkteve, rritja e çmimeve është mbi 20 për qind)”, ka shkruar Rukiqi në Facebook.

Tutje, ka thënë se vendet e reja të punës të cilat kryeministri pretendon se janë hapur në qeverisjen e tij, janë vetëm formalizim.

“’Vendet e reja te punës’, janë formalizim i vendeve të punës, të cilat kanë ekzistuar si vende pune, pra nuk janë vende të reja të punës, si rezultat i ndonjë investimi apo rritje e bizneseve ekzistuese”, ka shtuar ai.

Rukiqi ka folur edhe për eksportin duke thënë se është rritur nga kompanitë private dhe performanca e tyre.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet dhe Financa ka thënë se ka ngadalësim të rritjes ekonomike në vitin 2022.

Mehmeti pati thënë se parashikimet gjatë këtij viti janë diku rreth 3 për qind dhe kjo po ndodh për shkak të dobësimit të fuqisë blerëse, zvogëlimit të kërkesës së brendshme dhe rritjes së deficitit të eksportit neto.

“Rritja e lartë e aktivitetit ekonomik e realizuar në vitin 2021 pritet të ngadalësohet në vitin 2022 dhe parashikimet tona janë që të jetë diku rreth 3 për qind. Ngadalësimi i rritjes ekonomike pritet të jetë kryesisht pasojë e rritjes më të ulët të kërkesës së brendshme dhe rritjes së deficitit të eksportit neto. Përderisa rreziqet nga pandemia janë zvogëluar, rritja e rimëkëmbjes ekonomike pritet të ngadalësohet nga pasojat e tashme të dy krizave, e para është pengesat ende evidente nga zinxhiri i furnizimit nga pandemia dhe presioni shoqëruese të inflacionit të kombinuara me efektet e kombinuara të luftës në Ukrainë që e përforcojë edhe më tej rritjen e çmimeve, dobësimin e fuqisë blerëse dhe rënien e besueshmërisë”, ka theksuar Mehmeti.

Kurse, Banka Botërore thotë se rritja reale e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Kosovës për vitin 2022 pritet të ngadalësohet në 3.1 për qind./Telegrafi/