LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: Deklaratat për rritje ekonomike pa fakte janë ofendim për një popull të tërë, rritje kanë shënuar vetëm importet e mallrave nga Serbia

Haradinaj: Deklaratat për rritje ekonomike pa fakte janë ofendim për një popull të tërë, rritje kanë shënuar vetëm importet e mallrave nga Serbia
Fot

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar lidhur me deklaratat e Qeverisë për rritje ekonomike.

Haradinaj me anë të një shkrimi në Facebook ka thënë se deklaratat e tilla pa fakte janë një ofendim për një vend e për një popull të tërë.


Ai ka shtuar se ka rënë fuqia blerëse e qytetarit të Kosovës.

“Faktet janë kokëforta! Rritja ekonomike sipas Bankës Botërore është 3.1 për qind e jo siç e projektuat ju 10.5 për qind. Inflacioni, po ashtu sipas Bankës Botërore, është 19.1 për qind. Kjo i bie se fuqia blerëse e qytetarit të Kosovës, është përgjysmuar. S’ka si të jetë ndryshe, kur janë shtrenjtuar gjithë artikujt e domosdoshëm për jetesë, e qeveria e ka bllokuar Ligjin e Pagave! E ka bllokuar edhe ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, siç ishte ‘Kosova e Re’ dhe gazsjellësi amerikan, me arsyetime qesharake, se megavati prej 80 eurove i dukej i shtrenjtë, e sot, çmimi i tij pothuajse është dhjetëfishuar”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas tij, rritje kanë shënuar vetëm importet e mallrave nga Serbia.

“Nga 706 milionë të planifikuara me buxhetin e shtetit për investime kapitale, janë realizuar vetëm një e dhjeta e tyre. Në çdo sferë ekonomike e sociale ka rënie drastike. Rritje kanë shënuar vetëm importet e mallrave nga Serbia. Kjo Qeveri e ka kapërcyer çdo parashikim dhe importet nga Serbia prej 174 milionë në vitin 2020, kanë mbërritur në mbi 306 milionë euro, që është për 76 për qind më shumë nga viti paraprak. Prandaj, deklaratat për rritje ekonomike, pa fakte, janë ofendim për një vend e për një popull të tërë”, përfundon ai. /Telegrafi/