LAJMI I FUNDIT:

Ministri Murati thotë se ka rritje enorme të eksporteve në dy vitet e fundit

Ministri Murati thotë se ka rritje enorme të eksporteve në dy vitet e fundit

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati thotë se me rritjen enorme të eksporteve gjatë dy viteve të fundit raporti me importet ka rënë dukshëm.

Murati me anë të një shkrimi në Facebook thekson se ky hendek do të zvogëlohet edhe më tej, ku sipas tij, janë falë masave mbështetëse të Qeverisë për prodhuesit.


“Në vitin 2019, raporti eksport:import i mallrave ishte 1:9. Pra për çdo euro që merrej nga malli i eksportuar, nëntë euro mall importoheshin. Me rritjen enorme të eksportit dy viteve të fundit, ky raport është përmirësuar dukshëm dhe aktualisht është 1:6. Ky hendek do të zvogëlohet edhe më tej, falë masave mbështetëse për prodhuesit tanë”, shkruan Murati.

Kurse, kryeministri Albin Kurti duke numëruar të arriturat ekonomike të Qeverisë, ka thënë se rritja e eksportit nënkupton edhe rritje të aktivitetit ekonomik në vend.

“Qarkullimi i bizneseve për periudhën janar-gusht 2022 ka shënuar rritje prej 21.6 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021 dhe 67.9 për qind krahasuar me vitin 2020. Si rezultat, në vitin 2021 kishim të regjistruara 25 mijë vende pune më shumë sesa ai pararendës, kurse nga janari deri në gusht të këtij viti kemi 15 mijë vende pune më shumë”, ka thënë Kurti.

“Progresi ekonomik nuk është hamendësim e as rastësi. Ai është rezultat i politikave të duhura dhe qeverisjes së mirë. Shifrat dhe indikatorët më lart janë dëshmia jonë për këtë”, është shprehur ai. /Telegrafi/