Juventusi ka arritur të fitojë pa shumë vështirësi ndaj Cagliarit me rezultat 2-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e tetë në Serie A.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të Juventusit, ku përveç rasteve dhe menaxhimit të lojës, arritën të shënojnë edhe dy gola.

Goli i parë i ndeshjes erdhi pas 11-të minutave lojë me anë të Federico Bernardeschit, por pas rishikimit të VAR-it goli u anulua.

Pas këtij goli të anuluar në skenë doli Ronaldo, i cili në minutën e 38-të shënoi një gol të bukur për 1-0, ndërsa në minutën e 42-të shënoi nga afërsia për 2-0.

Në pjesën e dytë, përsëri ishte Juventusi që kontrolloi lojën, edhe pse Cagliari disa herë u tregua i rrezikshëm në kërkim të kthimit të rezultatit.

Cagliari arriti të gjej golin në minutën e 68-të me anë të mbrojtësit Ragnar Clavan, por edhe ky gol u anulua nga VAR-i.

Deri në fund të ndeshjes pati edhe disa raste nga të dyja skuadrat, por pa arritur të tundin rrjetën dhe në fund Juventusi fitoi 2-0.

Pas kësaj fitore, Juve e sheh veten në pozitën e dytë më 16 pikë, ndërsa Cagliari renditet i 11-ti me 10 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Bianconerët udhëtojnë te Benevento, ndërsa Cagliari e pret në shtëpi Spezian. /Telegrafi/