LAJMI I FUNDIT:

JO për Gordana Jankullovskën

Përveç që po nxehet koha, çdo ditë e më shumë, njashtu edhe fushata parazgjedhore ka marr kahje të pritura. Partitë politike vazhdimisht akuzojnë njëra-tjetrën dhe deri më tani asnjëra nuk ka dalë me projekt konkret për ndryshimin e pozitës së këtij shteti. Të gjitha duhet që të futen në parlament e qeveri, por asnjëra nuk tregon ndonjë arsye të fuqishme se pse t`ia besojmë votën me pesë qershor?

Maqedonia si një vend eksperiment i Evropës, po dëshmon për padrejtësitë dhe llomin e politikës së tërë Evropës. Nëse në pazar mblidhet fëlliqësia e tërë një qyteti, ose e tërë një shteti, ose e tërë shteteve, atëherë Maqedonia është reflektor i politikës së mbrapshtë të tërë Evropës. Përmes Maqedonisë mund të kuptojmë se sa llom prodhohet në Evropë, dhe po i njëjti eksportohet në vendet e botës së ‘tretë’.


Sloganet e partive politike maqedonase e shqiptare janë të ndryshme. Secila rrok aspektin nacionalist dhe emocionues të votuesve të tyre. Asnjëra prej sloganeve nuk është vizionare në thelbin e vet. Ne po jetojmë në një shtet intolerues dhe racist si Maqedonia. Këtë gjë e shohim edhe për sloganet e partive maqedonase të tilla si :” Për liri a vdekje..”
Politika në esencën e saj është lufta që bëhet në paqe, por është paqe, ngaqë asnjëherë nuk përmendet vdekja, shtypja, dhunimi në të. Mund të bëhen të gjitha të këqijat, por nuk përmenden asnjëra me emrin e tyre të vërtet, por shpiken terma dhe fjalë të ndryshme për të zbutur situatën.

Sinqerisht nuk e di se çka ka dashur të tregoj Lube Boshkovski me sloganin e tij “ Për liri a vdekje..” në Tetovë, Kërçovë, pjesën shqiptare në Shkup, pjesën shqiptare në Kumanovë dhe me flamurin e Maqedonisë? Një slogan i tillë a nuk duhet të jetë projekt i Gruevskit dhe përgatitje e një partneri të fuqishëm në luftën kundër LSDM? A nuk u dëshmua në praktikë deri më tani ky slogan? Në anën tjetër një parti e djathtë si ajo e VMRO-DPMNE-së kërkon që të votohet ‘manifesti’ i tyre, në këtë mënyrë, duke simbolizuar në manifestin komunist të Marksit dhe lëvizjen e majtë. Tash nuk e di, kjo, a është bërë pa vetëdije, apo është bërë qëllimisht, që të turbullohen votuesit e Branko Cërvenkovskit dhe të krijojnë një farë simpatie për Nikolla Gruevskin dhe bandat e tij.

Mund ta paramendojmë ekipin e ardhshëm parlamentar. Shumëçka mund të paramendojmë. Por, asnjëherë nuk e kemi besuar se nëpër rrugët e Tetovës, Kumanovës, Hasanbegut, e vendbanimeve shqiptare ku Gordana Jankullovska ka bërë gërdi tek shqiptarët të gjendet fotografia e saj, e madhe, që të duket prej një helikopteri ushtarak me sloganin PO për Gordana Jankullovskën. Logjika e Gruevskit në këto zgjedhje parlamentare po shikohet haptas. Në sferën e urrejtjes, smirës e xhelozisë ai po dëshiron që t’i nxitë votuesit e tij, ta mundin Branko Cërvenkovskin dhe ta vazhdojnë ahengun e tyre politikë edhe në vitet në vijim.

Gordana Jankullovskës jo duhet thënë jo vetëm shqiptarët e Maqedonisë, por edhe vet maqedonasit. Ajo përmes veprimtarisë së saj në Ministrinë e Punëve të Brendshme edhe pas luftës së 2001 ia përkujtoi praktikisht shqiptarëve e maqedonasve tmerrin e 2001.

Nëse vjen një ekip cilësor në qeverinë e Republikës së Maqedonisë, ajo ekip vlerësohet përmes punës së saj të deritanishme. Për shembull Ministria e Shëndetësisë do të vlerësohej përmes ndryshimeve pozitive që ka pasur gjatë këtyre viteve, njashtu edhe Ministria e Punëve të Brendshme. Nëse vështrojmë me kujdes statistikat e krimit, rrahjeve, e nxitjes e urrejtjes ndëretnike e fetare në Republikën e Maqedonisë, ato janë shtuar me ardhjen në pushtet të VMRO-DPMNE-së dhe me marrjen e dikasterit të punëve të brendshme nga ana e ministres Gordana Jankullovska.

Edhe përpara kanë ndodhur rrahje midis nxënësve shqiptar dhe nxënësve maqedonas. Kohërat kanë qenë edhe më të këqija se sot bile. Por, asnjëherë nuk ka ndodhur mbytje ose vrasje ndërmjet nxënësve. Asnjëherë nuk kanë ndodhur kaq shumë rrahje midis nxënësve shqiptar e maqedonas në Strugë sesa në epokën e Gordanas. Ajo arriti që t’i shtyp e përdhunoj shqiptarët e këtushëm si fizikisht, moralisht ashtu edhe materialisht dhe tek vendbanimet shqiptare po kërkon votën e votuesve për të vazhduar avazet e vjetra me metodat e reja. Andaj jam i bindur se votuesi i vetëdijshëm njëherë e përgjithmonë do t`i thotë JO, Gordana Jankullovskës me 5 qershor të vitit 2011.