LAJMI I FUNDIT:

Jepet premiera e filmit të Spielberg, ku luan shqiptari Marko Caka

Jepet premiera e filmit të Spielberg, ku luan shqiptari Marko Caka

Regjisori Steven Spielberg dhe aktori Tom Hanks parakaluan mbi qilimin e kuq të shtruar në New York me rastin e premierës botërore të filmit të tyre të ri, “Bridge of Spies”.

Filmi e rrëfen historinë e negociatave ndërmjet disa avokatëve nga New Yorku lidhur me lirimin e një piloti Amerikan, i cili mbahet peng nga Bashkimi Sovjetik gjatë luftës së ftohtë, transmeton KTV.


Pjesë e filmit, i cili flet për periudhën e luftës së ftohtë, është edhe shqiptari Marko Caka në rolin e reporterit, i cili mbulon proceset gjyqësore të avokatit që e luan aktori Tom Hanks, e që njëkohësisht është edhe një agjent i shërbimeve amerikane.

Në një intervistë për emisionin Express të KTV-së, Caka më herët ishte deklaruar i lumtur që kishte rastin të punonte me një regjisor si Steven Speilberg dhe me një aktor si Tom Hanks.

“Për mua është me rëndësi që publiku të arrijë ta kuptojë marrëdhënien e këtij avokati me klientin e tij, që i kalon të gjitha politikat dhe rregullat normale të shoqërisë. Historia e filmit shkon përtej ideologjive të zakonshme të cilat në njëfarë mënyre i ndajnë këto dy shtete gjatë luftës së ftohtë, si dhe e sjellë anën më humane të së vërtetës duke treguar sa është e rëndësishme të komunikosh në mënyrën e duhur dhe ti shfrytëzosh fjalët për të arritur diçka, duke mos i lënë anash principet tua si njeri”, është shprehur Spielberg në premierë.

Në film luajnë edhe aktorët Amy Adams dhe Alan Alda, ndërsa “Bridge of Spies” do të fillojë së shfaquri nëpër kinema amerikane kah mesi i këtij muaji.