LAJMI I FUNDIT:

Japoni, Perandori Akihito njofton se do abdikojë nga froni

Japoni, Perandori Akihito njofton se do abdikojë nga froni

Perandori i Japonisë, Akihito, ka njoftuar se do të largohet me dëshirë nga froni, bëri me dije të martën agjencia japoneze e lajmeve “Kyodo”.

“Edhe pse nuk ka shprehur ndonjë arsye të veçantë për abdikimin e pritshëm, shëndeti i Perandorit Akihito ka qenë i dobët vitet e fundit dhe ky mund të jetë motivi”, sqaron agjencia në fjalë.


Megjithatë nuk ka ende një datë të caktuar për abdikimin.

Detyrat publike të perandorit janë duke u reduktuar që nga viti 2009, pas disa çështjeve në lidhje me shëndetin, përfshirë inflamacionin e stomakut dhe probleme me stresin.

Ai i është nënshtruar një bajpasi në zemër dhe një operacioni për kancerin e prostatës.

Akihito, lindur më 23 dhjetor 1933, është perandori i 125-të i Japonisë. Ai u kurorëzua më datë 7 janar 1989, pas vdekjes së babait të tij, Hirohito. I renditur në vendin e 20-të në listën e liderëve më jetëgjatë, Akihito është sundimtari i vetëm botëror me titull “Perandor”.

Trashëgimtar i Perandorit Akihito është djali i tij më i madh, 56-vjeçari Naruhito, Princi i Kurorës së Japonisë.

Princi Naruhito ka vetëm një vajzë, Aiko – Princesha Toshi, me gruan e tij Masako, Princeshën e Kurorës së Japonisë, e cila nuk ka të drejtë mbi fronin sipas ligjit aktual të trashëgimisë.

Kjo do të jetë tërheqja e parë nga froni në 200 vitet e kaluara. I fundit që abdikoi ishte Perandori Kokaku, në 1817.