Lideri i Partisë Demokratike Sllovene, Janez Jansha, është zgjedhur kryeministër i ri i Sllovenia, pasi siguroi mbështetjen e shumicës parlamentare në një votim të zhvilluar në Kuvendin slloven.

Jansha mori 51 vota pro dhe 36 kundër në votimin e fshehtë, duke fituar kështu mandatin për formimin e qeverisë së re. Me këtë zgjedhje, ai rikthehet në krye të ekzekutivit për herë të katërt në karrierën e tij politike, ndërsa kabineti që pritet të formojë do të jetë qeveria e 16-të në historinë moderne të Sllovenisë.


Pas konfirmimit nga parlamenti, Jansha bëri betimin para deputetëve dhe deklaroi se do të respektojë Kushtetutën dhe do të punojë në interes të qytetarëve dhe të shtetit slloven, shkruan reuters.

Në fjalimin e tij para deputetëve, ai tha se zgjedhja e qeverisë së re përfaqëson “një hap të rëndësishëm drejt një Sllovenie më të suksesshme, më stabile dhe më të lirë”, duke paralajmëruar reforma në ekonomi, energji dhe administratë publike.

Një ditë para votimit, Jansha kishte arritur marrëveshje koalicioni me disa parti politike, përfshirë NSi, SLS, Fokus dhe Demokratët. Këto parti pritet të përbëjnë shumicën e re parlamentare që do të udhëheqë vendin në mandatin e ardhshëm.

Mbështetje për zgjedhjen e Janshës dhanë edhe deputetë të partisë Resnica, megjithëse sipas mediave sllovene kjo parti nuk do të jetë pjesë e kabinetit qeveritar.

Sipas procedurave kushtetuese në Slloveni, kryeministri i zgjedhur ka afat 15 ditë për të propozuar përbërjen e kabinetit të ri dhe emrat e ministrave që do të udhëheqin dikasteret qeveritare.

Rikthimi i Janshës në pushtet pritet të ndikojë ndjeshëm në politikën e brendshme dhe në raportet e Sllovenisë me Bashkimi Evropian, pasi ai konsiderohet një nga figurat më të fuqishme dhe më polemizuese të skenës politike sllovene. /Telegrafi/