LAJMI I FUNDIT:

Jabllanoviq: Qytetarët serbë e shohin përgjegjëse Listën Serbe për Ivanoviqin

Jabllanoviq: Qytetarët serbë e shohin përgjegjëse Listën Serbe për Ivanoviqin
-->

Gati një vit pas vrasjes së Oliver Ivanoviq, përfaqësuesit e partive politike të serbëve të Kosovës, kanë kërkuar zbardhjen e vrasjes së politikanit serb në Kosovë, në të kundërtën paralajmërojnë se do të kërkojnë komision ndërkombëtar për të kërkuar llogari nga Prishtina dhe Beogradi.

Në konferencën “Një vit nga vrasja e Oliver Ivanoviqit dhe skena politike serbe në Kosovë pas asaj vrasjeje”, në Çagllavicë, përfaqësuesit e SPD, SLS, Partia Demokratike Progresiste dhe Partia e Serbëve të Kosovës shprehën brengën se mos zbardhja e këtij rasti mund të çojë në përsëritjen e rasteve të ngjashme.

Ata thanë se humbja e Ivanoviqit, ndikoi edhe në zbehjen e lirisë së fjalës për komunitetin serb në Kosovë, të cilët për këtë e shohin përgjegjëse edhe Listën Serbe.

Nënkryetarja e Iniciativës Qytetare SDP, Ksenija Bozhoviq, tha se deri më sot nuk e dinë se kush e ka vrarë dhe kush e ka porositur vrasjen e Ivanoviqit.

“Është për keqardhje, sepse nuk kanë pasur urdhër të prokurorit. Ne kemi qenë në shok, ata e kanë keqpërdorur gjendjen tonë. Dhe, deri më sot, as nuk e kemi raportin se çfarë ka pasur në kamerat tona, çfarë është incizuar në atë moment dhe asnjëherë kamerat nuk na kthehen edhe pse shumë herë, edhe me shkrim edhe gojarisht, i kemi lutur të na i kthejnë. Sot ka qenë Oliveri, nesër mund të jetë kushdo nga ne. Duhet të jemi unik dhe të kërkojmë që institucionet e Kosovës ta kryejnë punën e vet”, tha ajo.

Sa i përket deklaratave të vëllait të Oliver Ivanoviqit, Miroslav Ivanoviqit, i cili kishte thënë se dyshon në hetimet e Beogradit, Bozhoviq tha se ky i fundit nuk dyshon në organet e hetuesisë, por në poligraf.

“Vëllai i Oliver Ivanoviqit, Miroslav Ivanoviq, jo që dyshon në punën e hetuesisë të Serbisë, por ka thënë që një mjet nuk është aq relevant si dëshmi për veprime të hetuesisë. Ai është me profesion gjyqtar dhe ai atë e ka shpjeguar nga ekspertiza e tij. Unë nuk kam nevojë të dyshojë në deklaratën e tij, sigurisht që ka të drejtë”, u shpreh Bozhoviq.

Kryetari i PSK-së, Aleksandar Jabllanoviq tha se vrasjes së Ivanoviqit i kanë paraprirë shumë gjëra.

Përfaqësuesit serbë në Kosovë, që nuk janë pjesë e Listës Serbe, sipas Jabllanoviqit po ballafaqohen me presione të mëdha të Beogradit. Teksa tha se për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, qytetarët serbë e shohin përgjegjëse Listën Serbe.

“Unë mendoj se qytetarët serbë e shohin përgjegjëse Listën Serbe për atë që i ka ndodhur Oliver Ivanoviqit. Dhe, turpi më i madh për ne që jemi edukuar në mënyrë patriarkale, që ata nuk kanë pasur guxim, ditën kur është vrarë dhe kur ka qenë varrimi, të vijnë dhe të nderojnë atë për herë të fundit. Duhet të pranojmë, për të gjithë ne që kemi jetuar në Kosovë, pavarësisht përkatësisë etnike, qytetarët vet do t’i ndëshkojnë ata”, tha Jabllanoviq.

Deputeti i SLS-së, Sllobodan Petroviq, u shpreh se deri në zbardhjen e kësaj vrasjeje, mund të ketë edhe shënjestra tjera, të cilat mund të përfundojnë ngjashëm sikur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

“Mos zgjidhja e këtij krimi, edhe gjendja e atyre të cilëve kanë porositur vrasjen, mund të ndodhë që të sjellë deri te një ngjarje më e keqe ose e ngjashme. Unë kam për të shtuar se nuk e di nëse dikush nga ne është shënjestra e radhës, por sigurisht se dikush do të jetë. Është një apel që të bëhet një komision ndërkombëtar, i cili do të jetë moderator dhe do të udhëheqë këtë proces dhe të pyesë Prishtinën dhe Beogradin se çfarë kanë bërë deri më tani. Është e qartë se të dy palët nuk janë duke e bërë këtë në mënyrën e duhur”, tha ai.

Petroviq ka folur edhe për ndalimet që u janë bërë në Merdare nga BIA serbe, me ç’rast tha se prapa kësaj qëndron dikush që dëshiron të dërgojë mesazh për të frikësuar serbët në Kosovë.

“Tri herë kemi kërkuar nga presidenti i Serbisë, nga kryeministri dhe nga shefi i Inteligjencës që publikisht të na tregojnë se ku qëndron arsyeja, për çfarë bëhet fjalë, a jemi ne kriminel, a jemi kontrabandist, a kemi bërë diçka. Kaq, vetëm dëshirojmë të dimë arsyen. Një muaj dhe askush nuk del me deklaratë, me një përgjigje. Tani edhe atëherë, të gjitha institucionet, që kanë paqartësi apo interes, qoftë gjyqi apo prokuroria, unë dhe njerëzit e mi jemi të gatshëm të paraqitemi në çdo moment, por është e qartë se dikush dëshiron të na dërgojë një mesazh në atë mënyrë, së pari t’i frikësoj përfaqësuesit e komunitetit serb, e pastaj edhe këtë popull të frikësuar e që ka përjetuar shumë mundime”, theksoi ai.

Kryetari i Partisë Demokratike Progresiste, Nenad Rashiq, tha se vrasja e Ivanoviqit është një humbje e jashtëzakonshme për qytetarët serbë të Kosovës, pasi sipas tij, këta të fundit e kanë humbur të drejtën edhe për t`u shprehur lirshëm.

Ajo që duhet bërë tutje, sipas Rashiqit, është përkushtimi në përforcimin e lirisë së fjalës për serbët e Kosovës. E sipas tij, këtu duhet të përqendrohen edhe institucionet, të cilat siç tha ai, deri më tash nuk kanë qenë shumë të interesuara.

“Pas vrasjes së Ivanoviqit, të gjitha përpjekjet tona janë më pak të rëndësishme, më pak të forta dhe fatkeqësisht do të na duhen vite për ta kompensuar humbjen që sipas meje ka qenë e jashtëzakonshme. E kemi humbur jo vetëm Oliverin, por edhe të drejtën e mendimit të lirë. Kjo është edhe jehona negative që është prodhuar me vrasjen e Oliverit. Të gjithë e dimë se vrasja ka qenë absolutisht politike”, u shpreh ai.

Ndryshe, më 16 janar bëhet një vit nga vrasja e Oliver Ivanoviq, ndërsa ende nuk dihet se kush qëndron prapa kësaj vrasje.

Oliver Ivanoviq (1953) ishte një prej politikanëve më aktivë serbë në Kosovë. Ai ka qenë kryetar i Iniciativës Qytetare SDP që vepron në Kosovë. /KP/