LAJMI I FUNDIT:

BE-ja planifikon ‘kontributin e solidaritetit’ nga kompanitë e naftës dhe gazit gjatë krizës energjetike

BE-ja planifikon ‘kontributin e solidaritetit’ nga kompanitë e naftës dhe gazit gjatë krizës energjetike

Kompanitë e naftës dhe gazit do të duhet të ndajnë fitimet e tyre të tepërta për të ndihmuar familjet dhe industritë evropiane të përballen me faturat e energjisë.

Sipas një projektpropozimi, vendet e Bashkimit Evropian do të prezantojnë “kontributin e solidaritetit” për industrinë e karburanteve fosile, përcjell Telegrafi.

Çmimet e energjisë janë rritur pasi Moska shkurtoi furnizimet me gaz si përgjigje ndaj sanksioneve perëndimore të vendosura për luftën e saj në Ukrainë.

“Kompanitë e naftës, gazit, qymyrit dhe rafinimit do të duhet të japin një kontribut financiar bazuar në fitimet e tatueshme të suficitit të realizuara në vitin fiskal 2022”, thuhet në draft, i cili ende mund të ndryshojë dhe më pas do të duhet të miratohet nga qeveritë e BE-së në mënyrë që të bëhen ligj.

Skema e përkohshme do të mbledhë para për të ndihmuar qeveritë të zbusin krizën energjetike të Evropës me masa të tilla si mbështetja e familjeve dhe bizneseve me fatura të larta, ndihma e industrive me intensitet energjie, reduktimi i konsumit të energjisë në BE dhe për ta bërë Evropën më të vetë-mjaftueshme në furnizimet e saj me energji.

Azerbajxhani do të rrisë eksportet e gazit për 30 për qind për në Evropë
Lexo po ashtu Azerbajxhani do të rrisë eksportet e gazit për 30 për qind për në Evropë

Një rikuperim i shpejtë i kërkesës për derivatet e naftës pas pandemisë COVID-19 dhe një rritje e çmimeve të nxitur nga pushtimi ushtarak i Ukrainës nga Rusia, kanë rritur fitimet për kompanitë e energjisë këtë vit.

Në tremujorin e dytë, kompanitë më të mëdha evropiane të naftës si TotalEnergies dhe Shell shënuan një fitim tremujor rekord prej 9.8 miliardë dollarësh respektivisht prej 11.5 miliardë dollarësh.

Masa e BE-së do të zbatohej për fitimet e tepërta të një kompanie nga viti 2022 në një nivel që do të specifikohej mbi fitimet mesatare të tatueshme në tre vitet fiskale që nga janari 2019.

Disa vende, përfshirë Italinë, kanë vendosur tashmë një taksë mbi fitimet e tepërta të realizuara nga firmat e energjisë elektrike gjatë krizës. “Kontributi i solidaritetit” nga kompanitë e naftës dhe gazit, do ta plotësonte këtë për të siguruar drejtësi midis kompanive të energjisë, shpjeguan zyrtarët e BE.

Komisioni do të propozojë gjithashtu tërheqjen e të ardhurave nga termocentralet pa karburant që përfitojnë nga shitja e energjisë elektrike me kosto të larta, por që nuk duhet të paguajnë fatura të mëdha për karburant, për të ndihmuar konsumatorët të përballen me faturat në rritje të energjisë, thuhej në draft. /Telegrafi/