LAJMI I FUNDIT:

Ja momentet e grabitjes në Rinas: U vodhën më pak se një milionë euro (Foto)

Ja momentet e grabitjes në Rinas: U vodhën më pak se një milionë euro (Foto)

Policia e Shtetit doli zyrtarisht në një konferencë për shtyp pas grabitjes spektakolare në aeroportin e Rinasit.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, teksa sqaroi me detaje ngjarjen, deklaroi se autorët të maskuar me paruke dhe maska kanë arritur të grabisin një shumë valute më pak se 1 milion euro, duke mos e saktësuar shifrën e saktë.


Ai deklaroi se autorët ishin të pajisur me armë automatike, por nuk kanë qëlluar.

Gjithashtu Hodaj deklaroi se njoftimi në polici është bërë 5 minuta pasi autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes.

“Siguria në perimetrin e aeroportit kontrollohet nga kompanitë private të sigurisë,” tha Hodaj.

Sipas tij, Policia e Shtetit i ka dërguar koncesionarit një letër në lidhje me kushtet e sigurisë në Rinas.

DEKLARATA E PLOTË:

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 30.06.2016 në Aeroportin ‘’Nënë Tereza”, Rinas, dëshiroj të bëj me dije publikun për sa më poshtë:

Në orës 14:23 të datës 30.06.2016, sipas orës së sistemit të kamerave të sigurisë së Aeroportit të Rinasit, një person i veshur me jelek me ngjyrë portokalli me fasha fosforeshente, kapërcen portën e ndodhur në skajin veri-perëndimor të pistës, portë e cila përdoret vetëm për hyrje-daljen e mjeteve që furnizojnë me karburant avionët.

Ky person ka prerë drynin e derës dhe pasi ka hapur atë, në territorin e pistës futet një automjet tip Mercedes Benz me ngjyre vishnje. Autorët janë futur me makine në vendqëndrimin e automjeteve te sherbimit dhe kanë kryer vjedhjen e parave që ndodheshin në makinën e blinduar të shoqërisë “NAZERI 2000”.

Në orën 14:27 ky automjet duket që del përsëri nga territori i aeroportit nga e njëjta portë, prej nga hyri.

Rezulton se pas daljes nga porta, autorët janë larguar në drejtim të aksit rrugor Rinas – Fushë Krujë – Vorë.

Në orën 14:33, 10 minuta pas thyerjes së sigurisë së rrethimit të jashtëm të aereoportit, Salla Operative e DVK&M Tiranë njoftohet nga ODM (Operatori i Drejtimit dhe Menaxhimit të Aeroportit), se persona të armatosur kanë hyrë me automjet brenda territorit të pistës së avionëve dhe kanë kryer një grabitje.

Menjëherë me marrjen e njoftimit shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje të autorëve duke konstatuar një automjet tip Mercedes Benz, i cili po digjej.

Në ndjekie të autorëve janë vënë forcat Renea, Fnsh, forcat e Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Komisariatit Kruje, dhe specialistët e Drejtorisë së Përgjithshme për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit.

Gjithashtu është ngritur në fluturim me efektiva të policisë Renea helikopteri i Policisë për krehjen e zonës nga ajri.

Menjëherë është ngritur grupi hetimor ku ka vazhduar puna për zbulimin dhe dokumentimin e kësaj ngjarjeje.

Nga të dhënat paraprake të hetimit, rezulton se persona të maskuar me maska dhe paruke, të armatosur me armë automatike të llojit kallashnikov, nën kërcënimin e armëve, kanë arritur të grabisin një sasi valute të kartëmonedhave të ndryshme, të deklaruar më pak se 1 milion Euro, ne automjetin tip Blind te shoqërisë SH.P.S.F. “Nazeri 2000”.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, dëshmitë e marra deri tani dhe të gjitha të dhënat paraprake hetimore, autorët nuk kanë qëlluar me armë.

Reagimi i Policisë ka qenë i menjehershëm pas njoftimit të dhënë, megjithëse sipas regjistrave, është njoftuar rreth 10 minuta pas hyrjes së makinës dhe 5 minuta pasi autorët jane larguar nga rrethimi i aeroportit.

Dua të bëj me dije se në sallën e monitorëve të mbikëqyrjes me kamera, nuk ka asnjë prezencë të policisë dhe njoftimi për ngjarje që ndodhin në aeroport bëhet nga punonjësit e ODM.

Gjithashtu, në bazë të Marëveshjes Konçensionare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqërisë Konçensionare Tirana International Airport, siguria e perimetrit të jashtëm të aeroportit, portat hyrëse të tij, vendqëndrimin e Avionëve, ambientet hyrëse të terminalit si dhe sallën e kamerave CCTV, e bën në mënyrë eksluzive shoqëria koncesionare nëpërmjet kompanive private të sigurisë.

Madje vetë policia, mbi bazën e kësaj marrëveshje, e ka rreptësisht të ndaluar të patrullojë në aereoport.

Ndërkohë që bazuar në ligjin për Policinë e Shtetit dhe në Ligji Nr. 9861 datë 24.01.2008 “Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirt shtetëror”, Policia e Shtetit mban përgjegjgësi për sigurinë e udhëtarëve në Aeroportin Nënë Tereza, dhe veçanërisht në Pikën e Kalimit Kufitar Ajror, që është territori nga kabina e kontrollit, salla e tranzitit deri në vendqëndrimin e avionit.

Gjithashtu, Policia e Shtetit, bazuar edhe në masat e shtuara të sigurisë, të marrra në kuadër të luftës kundër terrorizmit, kryen shërbim me patrulla të shtuara në kabinat e kontrollit të pasagjerëve në hyrje-dalje, në ambjentet e brendshme dhe para terminalit të pasagjerëve, në ambjentet e intervistimit të shtetasve të kthyer dhe për sigurimin e personave të shoqëruar në ambientet e Komisariatit.

Sa më sipër, theksojmë se perimetri i jashtëm i aeroportit, patrullimi nga brenda i perimetrit të aereoportit, portat hyrëse të tij, vendpushimi i avionëve, ambientet hyrëse të terminalit si dhe salla e kamerave CCTV, janë përgjegjësi direkte e kompanisë ICTS, e cila është kontraktuar nga TIA (Tirana International Airport).

Pikërisht për shkak të konstatimit të shpeshtë të mungesës së disa elementëve të sigurisë, Policia e Shtetit me shkresë nr 457 datë 21.04.2014 i ka komunikuar autoritetit Aeroportual TIA, në lidhje me mangësitë të konstatuara në drejtim të parametrave të sigurisë, vecanërisht për sistemin e kamerave, pasi kamerat nuk mbulonin me monitorim të gjitha pikat nervlagjike të aeroportit.

Me shkresë ref. RCV/IA, datë 24.04.2014, protokoll 273/1, nga Autoriteti Aeroportual TIA, i është kthyer përgjigje Komisariatit të Polcisë Rinas se: Shqetësimet e ngritura lidhur me sigurinë dhe kamerat e sigurisë, nuk janë kompetencë e Policisë së Shtetit.

Në vazhdimësi të korespodencës për riparimin e mangësive të konstatuara, me shkresë nr 496 protokoll 25 .04.2014 Komisariati i Policisë Kufitare Rinas i është drejtuar Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), me kërkesë për ndërhyre për marrjen e masave të menjëherëshme për zgjidhjen e problemtaikave të konstatuara lidhur me sigurinë në Aereoport, duke i kërkuar Koncesionarit që të zgjidhe menjëherë problemet e sigurisë në përputhje me standartet ndërkombëtare për sigurinë në Aeroporte.

Nga Autoriteti i Aviacionit Civil akoma deri ditën e sotme nuk është kthyer asnjë përgjigje.

Po në vijim të korespodencës me shkresë nr 534/protokoll datë 24.03.2016, Komisariati i Policisë Kufitare Rinas, i kërkon autoritetit Aeroportual TIA, marrjen e masave për lëvizjen e mjeteve të shërbimeve të linjave ajrore brenda në pistë si dhe rishikimin e sistemit të kamerave.

Në mbledhjen e këshillit të sigurisë së aeroportit datë 30.03.2016 mbajtur me protokoll nr 145 Ref : RCV-GM/STO nga ana e Policisë së Shtetit është kërkuar rishikim i masave të sigurisë përfshirë dhe sistemin e kamerave si dhe shkëmbim i menjëhershëm i informacionit në rast të ngjarjeve të mundshme kriminale.

Në lidhje me veprimet hetimore të kryera për zbardhjen e ngjarjes theksojmë se janë angazhuar kapacitetet më të kualifikuara dhe të specializuar të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë.

Po punohet intensivisht në disa pista për zbardhjen e kësaj ngjarje.

Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin e qytetarëve në dhënien e informacioneve të vlefshme në lidhje me këtë ngjarje dhe siguron ruajtjen e anonimatit.

Policia e Shtetit është e angazhuar për të garantuar siguri maksimale të qytetarëve në Aeroportin e Rinasit, ashtu sic do të kërkojë në vazhdimësi shtimin e masave të sigurisë nga të gjithë institucionet që kanë përgjegjësi për garantimin e sigurisë brenda aereoportit dhe çdo mjedisi tjetër.

1-8

2-7

3-8

4-8

5-8

6-8