LAJMI I FUNDIT:

BE-ja e heshtur përballë Serbisë problematike

BE-ja e heshtur përballë Serbisë problematike

Sa herë ulën në bisedime përfaqësuesit e Kosovës me ata të Beogradit, zyrtarët e Brukselit Serbinë e shohin si Jugosllavi. Kështu është ajo puna e njohjes se trashëgimisë se shtetit të dikurshëm jugosllav, e këtë nuk po e sheh pala shqiptare. Vet fakti se Serbia është amnistuar për agresion në Bosnje, dëshmon se Brukseli Kosovën po e trajton ma pak se republikë e më shumë se krahinë, bash ashtu siç e trajtonte ish Jugosllavia e Titos.

Moti ka shkrime të gazetarëve e gazetave të njohura për krejt çka po bën Serbia kundër vendeve fqinje, por Brukseli duket nuk merret me analiza.


Kjo u pa kur erdhi kësaj radhe një lajm i vogël nga Uashingtoni, që sikur e gjeti në kllapi Brukselin zyrtar i cili reagoi krejt i përgjumur. Zyrtarët e Brukselit, të ngarkuar për “stabilitet” në Ballkan, reaguan njëzëshëm. Krejt kjo dëshmon se në Bruksel diçka nuk po shkon në rregull.

Madje, ndërmjetësues të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë tash nuk janë as anglezë e as gjermanë, por një spanjoll e një sllovak, përfaqësues të dy shteteve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe kjo për Brukselin është në rregull.

Një hetim serioz do të vërtetonte se paraja serbo-ruse edhe aty ka gjetur rrugë e njerëz te përshtatshëm. Korrupsioni po kalon çdo barrierë diplomatike, pa marrë parasysh se si janë punët e BE-se në aspektin e sigurisë.

Gazetat “Le Monde” e Parisit apo “Deutsche Welle”-ja gjermane shkruajnë konkretisht se çfarë po bën Serbia në Ballkan.

“Le Monde” pyet: “A e drejton krimin Serbia apo krimi e drejton Serbinë”?

Serbia moti i ka hapur negociatat për integrimet evropiane, ndërsa Beogradi zyrtar ushqen krimin e organizuar jo vetëm brenda Serbisë, por edhe në të gjitha vendet përreth, pa përjashtim.

Sa serbë luftojnë na anën e rusëve në Ukrainë?

Sa në Libi, e sa ishin në Armeni?

Se kush i ka shpallur heronj kriminelet e dënuar në Hagë e dinë edhe zogjtë e malit. Madje edhe vet kryeqyteti serb, Beogradi, është mbushur me billborde gjigante të kriminelëve të dënuar për krime të rënda lufte dhe gjenocid.

E, kur policia e Kosovës merr masa kundër kriminelëve të të gjitha ngjyrave, Brukseli reagon. Duket sikur Brukseli nuk e di se serbët lokalë janë në hall me veprimtarinë e pandëshkuar të kriminelëve serbë që i nxitë e i paguan Beogradi

Nuk i ka dhjetë milionë banorë Kosova dhe gati çdo qytetar i rëndomtë i njeh me emër e mbiemër, jo vetëm bosat e krimit, por edhe dilerët që shëtisin të lirë fund e krye Kosovës.

Sa fakte relevante duhet të paraqiten në Bruksel, për të dëshmuar se qeveria serbe, në krye me Vuçiqin, i lejon, i nxitë, i komandon dhe i paguan ata pa asnjë dyshim.

Beogradi zyrtar i ka çelësat e gjithë krimit të organizuar. Edhe diletantët e skajshëm e kanë të qartë se sa media në Ballkan i paguan Serbia vetëm për destabilizim të vendeve fqinje.

Madje, po thonë se demokracia në Serbi ecën mirë. Prandaj, BE hapi edhe katër kapituj të negociatave me Beogradin.

Faktet flasin tepër qartë se dikush po i mbyll sytë kur flitet për Beogradin zyrtar.

Tash kur Uashingtoni reagoi konkretisht kundër krimit të organizuar, sërish vjen reagimi nga Brukseli për gjoja përkrahjen e masave amerikane. Kjo formë e reagimit vetëm sa e ushqen krimin serb dhe bren si krimbi vet BE-në.