LAJMI I FUNDIT:

ITU-ja ndan vetëm kode shtetërore

ITU-ja ndan vetëm kode shtetërore

Kodi telefonik +383 që do t’i ndahet Kosovës sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel, nuk është kod gjeografik, por kod shtetëror. Ky kod është i ngjashëm me ato të shteteve të tjera, sepse Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU) ndan vetëm kode shtetërore. Kështu ka thënë drejtori i Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi, në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online.

Sipas tij, nga ky kod Kosova përfiton në aspektin shtetëror, por dhe i kursen miliona euro.“Përfitime të mëdha ka edhe në aspektin ekonomik, janë analizuar në masë të madhe humbjet që janë shkaktuar në mënyrë direkt për të dy operatorët tanë që nga pas lufta e deri më tani. Ato humbje kanë rezultuar rreth 220 milionë euro”, ka thënë Gashi.


Ai shpjegon se operatori serb me hyrjen në tregun e Kosovës, do të paguajë për resurset frekuencore që i ka në dispozicion, ndërsa për funksionalizimin e tij do të shfrytëzojë antenat që deri më tani kanë funksionuar në mënyrë ilegale.

“Marrëveshja parasheh funksionim të përkohshëm të këtij operatori deri në hyrjen e tretë të operatorit të telefonisë mobile në Kosovë. Sa i përket infrastrukturës, parasheh që funksionimi i saj të vazhdojë mbi bazën e infrastrukturës që ka ekzistuar dhe që ka qenë MTS-ja, por tani kemi një kompani të re që është themeluar në Kosovë dhe do të ketë mundësi që ta shfrytëzojë atë infrastrukturë që është investuar që prej pas luftës në Kosovë në mënyrë ilegale”, ka thënë Gashi.

Ai flet edhe për rregullimin e çështjes së aplikacioneve mobile që po ia humbin të hyrat operatorëve në vend, për brezin frekuencor e çmimet e vendosura për operatorët mobilë për resurse shtesë në 3G dhe 4G, për të cilat janë ankuar operatorët mobil në vend. /Telegrafi/