eksperti-banner

Gjuajtja me akuza ndërmjet LDK-së dhe PDK-së, çoftë të tërthorta apo të drejtpërdrejta e kanë karakterizuar plot tri javët e kaluara të fushatës për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, dhe në ditët vendimtare të kësaj fushate edhe pritet që këto akuza të shpeshtohen duke marrë përmasa edhe më të mëdha që për shumë kë e kanë çuar në "prag të vorrit" koalicionin PDK-LDK në nivel qendror të institucioneve shtetërore të Kosovës.

Ky koalicion PDK-LDK, që nga formimi i tij si rezultat i zgjedhjeve të vjeshtës së ftohtë të vitit 2007, është cilësuar i pa natyrshëm, për shkak të dallimeve konceptuale jo të vogla të këtyre dy subjekteve politike, zgjedhje këto që ngriten PDK-në në partinë më të madhe në skenën politike kosovare dhe i dhanë një goditje të rëndë LDK-së edhe ashtu të dërmuar nga problemet e brendshme partiake pas vdekjes së presidentit historik të Kosovës, Dr, Ibrahim Rugovës, dhe më pas kuvendit të karrigeve, gjë që ndikuan që dikur partia me e madhe dhe më e vjetër të kaloj në pozicionin si parti e dytë në Kosovë.

"Martesa" në mes këtyre subjekteve politike që u kurorëzua në "ofiqaritë" e misioneve diplomatike ndërkombëtare në Arbëri të Prishtinës, gjoja për hir të stabilitetit politik në prag të proceseve të ndjeshme në të cilat në ato kohë po e prisnin Kosovën, nuk ka qenë e as sot e kësaj ditë asnjëherë argument i mjaftueshëm për militantët "inatçi" të këtyre dy subjekteve politike,e në veçanti të atyre të LDK-së.

Shpëtimin e shkurorëzimit të kësaj "martese" në mes PDK-së dhe LDK-së, deri më tani kanë arritur ta ruajnë dy liderët e tyre, kryeministri Hashim Thaçi që është edhe lider PDK-së dhe presidenti i vendit Fatmir Sejdiu, lider me post të "ngrirë" i LDK-së, më shumë për hir të korrospodentimit të interesave të tyre të ngushta dhe klanore, dhe të rebeluarit nga të dy kampet duke i mposhtur edhe fal presioneve ndërmjet ndërkombëtarëve ndaj këtyre te fundit, po ashtu edhe me përjashtim, siç ndodhi në LDK me disa ish ministra dhe deputet.

Mirëpo, siç duket dal-ngadalë gjërat kanë dal jashtë kontrollit të dy liderëve Thaçi dhe Sejdiut, pasi një pjesë e madhe e lidershipit të LDK-së ka filluar të mendojë se vazhdimi i bashkëjetesës në koalicion me PDK-në, subjektin e tyre do ta dërgojë në shuarje e sipër, pa shpresë për rikëmbjen e saj. Dhe pikërisht LDK-ja zgjodhi fushatën e zgjedhjeve lokale në tentim për ta rikthyer identitetin e vet të humbur e të nëpërkëmbur nga partneri më i madh në koalicion, PDK-ja, dhe nëpërmes "Samurajit" të fundit të saj Isa Mustafa, kryetarit aktual dhe kandidatit për kryetar të Prishtinës, bastionit të fundit të saj, duke e fokusuar gjithë energjinë në drejtim të tij për të ngadhënjyer në këtë betejë, ndoshta vendimtare për fatin e LDK-së.

Fjalori gjithnjë më i ashpër i Isa Mustafës në drejtim kryeministrit Thaçi dhe deklaratat e tij për shqyrtim të pozicionit të subjektit të tij politik në koalicionin me PDK-në, dhe po ashtu fushata e ashpër që po e ndjek kunderkandidati i tij për kryetar të Prishtinës nga radhët e PDK-së, Astrit Salihu, gjatë pjesës më të madhe të fushatës në betejën e tyre për kryeqytetin, për shumë kë kanë hapur dilemën nëse koalicioni i qeverisjes qendrore në mes PDK-së dhe LDK-së do të mund ta mbijetojë kontratën e tyre katërvjeçare për të mos shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa të dy eksponentët kryesorë në garë për kryetar të Prishtinës Isa Mustafa dhe Astrit Salihu gjithnjë e më shumë po shfaqen si varrmihësit e këtij koalicioni.

Fjalori i ashpër në mes partnerëve të koalicionit në adresë të njeri-tjetrit, nuk ngeli vetëm në nivelin e betejës për Prishtinën, ky fjalor u ashpërsua edhe nga nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri dhe bashkëpartiakët e tjerë të tij në adresë të kryeministrit Thaçi dhe partisë që e udhëheq ky i fundit.

Ndërsa PDK-ja përgjigjet ndaj këtyre akuzave qe po vinin nga partneri më i vogël në koalicion, LDK-ja, ia ka besuar z/kryeministrit Hajredin Kuçi i cili shprehu qëndrimin e subjektit të tij politik se, LDK-ja nëse vazhdon të "lazdrohet", PDK-ja nuk do ta durojë gjatë, duke lënë të kuptohet se partia me madhe do të mund të kërkonte një tjetër partner për koalicion qeverisës, edhe pse edhe vet z. Kuçi është i vetëdijshëm se në rast të tërheqjes së LDK-së nga koalicioni, kërkimi i ndonjë partneri tjetër nuk do ta shpëtonte rënien e qeverisë dhe shkuarjen e vendit drejtë zgjedhjeve të parakohshme nacionale.

Në të gjithë këtë katrahurë politike në të cilën janë përfshirë partnerët e koalicionit PDK-ja dhe LDK-ja, nga anash është duke vëzhguar me shumë ambicie partia më aktive opozitare AAK-ja dhe lideri i saj Ramush Haradinaj që të kujton anekdotën e Nastradinit me dy gra që po përlaheshin mes veti. Dhe krejt në fund, mbetet të shihet edhe disa ditë deri në finalizimin e procesit të zgjedhjeve lokale, se në çfarë drejtimi do të shkojnë proceset politike të brendshme në Kosovë.