Vetëm një ditë pas përurimit të emërtimeve të rrugëve “Isa Boletini” dhe “Zoran Dindic” në Mitrovicën e Veriut, tabelat u zhvendosën në lokacione të ndryshme. Kryetari i komunës Milan Radojeviq, e cilësoi të paligjshëm procesin e emërtimit të rrugëve, ndërsa zv.kryesuesja e Kuvendit Komunal, Aida Ferati-Doli, tha se procedurat janë ndjekur sipas vendimeve të komisionit përkatës. Ministria e Planifikimit Hapësinorë deri të enjten në mesditë nuk e konfirmoi nëse ka informacione për rilokimin e emërtimeve në rrugë.

Emri i heroit shqiptar e ai ish-kryeministrit serb fillimisht u vendosën krah për krah.


Por për më pak se 24 orë, emërtimet e rrugëve “Isa Boletini” e “Zoran Gjingjiq” në Mitrovicë të Veriut, u ndanë me disa metra distancë.

Këto që i përuroi të mërkurën e 3 qershorit ministrja në detyrë e Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, u rilokuan të enjten, por se kush e mori këtë vendim është ende e paqartë.

Ekipi i Televizioni Dukagjini përgjigje kërkoi nga kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, por as ai nuk konfirmoi nëse komuna qëndron pas këtij vendimi, derisa kontestoi ligjshmërinë e procesit të emërtimit të rrugëve.

“…Vendimi i sjellë nga udhëheqja e kaluar është plotësisht i paligjshëm, nuk është në përputhje me ligjin, nuk ekziston procesverbali i komisionit, asnjë serb nuk ka marrë pjesë në atë komision dhe nuk është mbajtur asnjë debat publik për riemërtimin e rrugëve. Prandaj, gjithçka që po bëhet është plotësisht e paligjshme dhe kjo do të dëshmohet në gjykatë”, ka thënë Radojeviq.

Një version tjetër e ofron zëvendëskryesuesja e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Aida Ferati-Doli, që tregon për përbërjen e komisionit që kishte marrë vendimin.

“Ka qenë një përbërje prej gjashtë anëtarëve të komisionit, kemi pas edhe të nacionalitet serb aty. Për shkak të presionit nga Beogradi që I është bërë presionit në fjalë, është largu personi dhe ne kemi vazhdu me emërimin”, ka thënë Ferati-Doli.

E sa i përket zhvendosjes së tabelave, Doli konsideron se është e jashtëligjshme nëse krerët e komunës kanë vendosur ta bëjnë pa miratim në Kuvend.

“Nëse komuna e Mitrovicës e ka bërë, atëherë çdo gjë që bëhet në komunë, vendimet duhet të merren në Kuvendin Komunal”, ka shtuar Ferati-Doli.

Televizioni Dukagjini ka dërguar pyetje edhe në adresën e ministrisë së Planifikimit Hapësinor mirëpo deri në transmetimin e kronikës, nuk kanë dhënë informacione shtesë për arsyet e zhvendosjes së tabelave./Tv Dukagjini/

- YouTube youtu.be