IPKO dhuron 20 mijë euro për zjarrfikësit në Prishtinë – rinovohen hapësirat e kujdestarisë, kuzhina dhe zyrat administrative

IPKO ka dhuruar një donacion në vlerë prej 20 mijë eurosh për Brigadën Profesionale të Zjarrfikësve në Prishtinë, në mbështetje të punës dhe kapaciteteve të këtij institucioni të rëndësishëm të emergjencës.
Ky kontribut vjen si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të kompanisë për përforcimin e sigurisë publike dhe përmirësimin e kushteve të punës për zjarrfikësit, të cilët çdo ditë janë në shërbim të qytetarëve.
Drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica tha se donacioni për Brigadën Profesionale të Zjarrfikësve është jashtëzakonisht i vlefshëm dhe ndikon drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë në kryeqytet.
“Një donacion jashtëzakonisht shumë të vlefshëm për Brigadën Profesionale të Zjarrfikësve, për qyteti. Me rritjen e sigurisë në qytet me rritjen e kapaciteteve jo vetëm profesionale të zjarrfikësve, por të gjitha shërbimeve të sigurisë në kryeqytet rritet edhe mundësia e investimeve, hapen edhe mundësi të investimeve dhe rritje të biznesit që është një prej parakushteve për zhvillim më të gjatë dhe më kredibil të kryeqytetit. Ne do të qëndrojmë prapa kompanive që operojnë në Prishtinë duke ofruar siguri”, tha Fushtica.

Gjithashtu ai tha se si komunë kanë investuar mbi tre milionë euro gjatë tri viteve të fundit në ngritjen e kapaciteteve të zjarrfikësve, ndërsa donacione të tilla siç tha ai “kanë rëndësi të veçantë jo vetëm në aspektin operacional, por edhe në atë njerëzor”.
Ndërsa, komandanti i Brigadës Profesionale të Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi bëri të ditur se donacioni i IPKO-s në vlerë prej rreth 20 mijë eurosh ka ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të punës për zjarrfikësit.
Sipas Gashit krijimi i ambienteve më të mira për zjarrfikësit ndikon edhe në gatishmërinë dhe efikasitetin e tyre në shërbim të qytetarëve.

“Një donacion që kap vlerën rreth 20 mijë euro dhe i cili drejtpërdrejtë ka ndikuar në përmirësimin e kushteve të kolegëve tanë në shërbimin e zjarrfikësve dhe shpëtimit. Ju e dini që ky shërbim punën 24 orë përveç asaj sigurisht që duhet t’u ofrojmë kushte sa më komode që të ndihen rehat dhe të jenë të pushueshëm sepse punohet edhe natën”, u shpreh Gashi.

Ai tha se përmes këtij donacioni janë rinovuar hapësirat e kujdestarisë ditore dhe të natës, janë vendosur ulëse dhe mobilie të reja, është pajisur plotësisht kuzhina me inventar modern, si dhe janë rregulluar hapësirat përcjellëse për pushim. Po ashtu, janë përmirësuar edhe zyrat administrative ku zhvillohet puna e përditshme e stafit. /Telegrafi/
















































