Interi mposht Parman dhe shpallet kampion i Italisë
Interi e ka siguruar matematikisht titullin e kampionit në Serie A, pasi mposhti Parmën me rezultat 2-0 në ndeshjen e javës së 35-të, duke e bërë të pakapshëm në krye të tabelës.
Zikaltrit e nisën ndeshjen me ritëm dhe krijuan raste që në fillim. Nicolo Barella ishte pranë golit në minutën e 25-të, por goditja e tij u ndal nga traversa, ndërsa edhe Denzel Dumfries rrezikoi me kokë.
Goli i epërsisë erdhi në fundin e pjesës së parë. Në minutën e 45+1’, Marcus Thuram u gjet në pozicion të mirë pas një pasimi në thellësi nga Piotr Zielinski dhe realizoi saktë për 1-0.

Në pjesën e dytë, Interi e menaxhoi lojën me qetësi, duke mos lejuar shumë hapësira për Parmën.
Trajneri Cristian Chivu bëri disa zëvendësime për ta freskuar skuadrën, ndërsa Lautaro Martinez hyri në lojë në minutën e 67-të dhe u bë vendimtar.
Në minutën e 80-të, Lautaro asistoi bukur për Henrikh Mkhitaryan, i cili nga afërsia e dërgoi topin në rrjetë për 2-0, duke e vulosur fitoren.
2️⃣1️⃣🖤💙 pic.twitter.com/Ei5G9PCu66
— Inter ⭐⭐ (@Inter) May 3, 2026
Me këtë triumf, Interi shkon në 82 pikë pas 35 ndeshjeve dhe shpallet matematikisht kampion i Italisë, duke kurorëzuar një sezon dominues në Serie A. /Telegrafi/



























