Ekipi amerikan po zhvillon bisedime për të afruar një sulmues të rëndësishëm në afatin e janarit, dhe emri që qëndron në qendër të afatit kalimtar është Timo Werner.

Sulmuesi gjerman, i lidhur me RB Leipzig deri në vitin 2026, po kalon një periudhë me pak minuta dhe rol dytësor, duke e shtyrë të mendojë seriozisht largimin nga Bundesliga.


Në këtë situatë, një transferim në MLS po bëhet gjithnjë e më i mundshëm, sidomos pas kontakteve të zhvilluara mes përfaqësuesve të tij dhe Inter Miami.

Sipas raportimeve të gazetarit Florian Plettenberg, bisedimet kanë krijuar një skenar konkret, Inter Miami po kërkon të forcojë repartin ofensiv me një lojtar të shpejtë, teknik dhe me eksperiencë ndërkombëtare, profil në të cilin Werner përshtatet plotësisht.

Klubi nga Florida, i cili po rinovon linjën e sulmit, e sheh ardhjen e gjermanit si lëvizje strategjike, teksa disa nga lojtarët veteranë pritet të largohen.

Po ashtu, stafi teknik synon të rrethojë Lionel Messin me futbollistë që mbajnë ritëm të lartë dhe ofrojnë lëvizshmëri të vazhdueshme, çka e bën Werner një opsion tejet të vlefshëm.

Vetë lojtari e sheh MLSnë si një mundësi të re për t’u rikthyer në qendër të vëmendjes, pasi minuta të pakta në Leipzig kanë ndikuar në formën dhe vetëbesimin e tij.

Në moshën 29-vjeçare, ai kërkon një ambient ku mund të luajë rregullisht dhe të rifitojë rolin e tij si protagonist, ndërsa projekti ambicioz i Inter Miami dhe mundësia për të luajtur pranë emrave të mëdhenj e bëjnë këtë opsion edhe më tërheqës.

Nëse transferimi konkretizohet, Werner do të lërë pas një periudhë të vështirë në Bundesliga për të nisur një kapitull të ri në futbollin amerikan, ndërsa Inter Miami do të fitonte një përforcim me peshë, dhe MLS një tjetër emër që rrit edhe më shumë profilin e saj ndërkombëtar. /Telegrafi/

telegrafi sport app