LAJMI I FUNDIT:

Inteligjenca britanike zbulon objektivin e radhës të forcave ruse në Ukrainë

Inteligjenca britanike zbulon objektivin e radhës të forcave ruse në Ukrainë

Ministria britanike e Mbrojtjes ka publikuar raportin e ri të pushtimit rus në Ukrainë.

Sipas inteligjencës britanike, forcat ruse po bëjnë përpjekje të mëdha në frontin rreth qytetit Bakhmut në rajonin e Donetskut.


“Plani rus është ndoshta të rrethojë qytetin me një avancim taktik në veri dhe jug”, shkruajnë britanikët.

Ditët e fundit, Rusia ka bërë pak përparim në aksin jugor të këtij sulmi.

“Rusia e ka bërë prioritet Bakhmutin si përpjekjen e saj kryesore sulmuese që nga fillimi i gushtit 2022. Marrja e qytetit do të kishte vlerë të kufizuar operacionale, megjithëse do të lejonte Rusinë të kërcënonte zona më të mëdha urbane si Kramatorsk dhe Slovyansk”, shkruan në raportin e inteligjencës britanike.

Megjithatë, oficerët e inteligjencës britanike theksojnë se kjo fushatë është në mënyrë disproporcionale e shtrenjtë në krahasim me përfitimet e mundshme.

“Ekziston një mundësi reale që kapja e Bakhmut të jetë bërë kryesisht një qëllim simbolik, politik i Rusisë”, shtojnë ata.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm të shtetit ukrainas më 24 shkurt të këtij viti. /Telegrafi/