LAJMI I FUNDIT:

Inspektorët kontrollojnë libraritë në Podujevë, Bulliqi: Po parandalohet abuzimi që mund të shkaktohet nga ngritja e çmimit të librave

Inspektorët kontrollojnë libraritë në Podujevë, Bulliqi: Po parandalohet abuzimi që mund të shkaktohet nga ngritja e çmimit të librave

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka njoftuar të premten se inspektorët e tregut komunal gjatë këtyre ditëve kanë zhvilluar kontrolle tek libraritë e qytetit për t’i inspektuar në lidhje me çmimet e librave dhe materialeve shkollore.

Ai ka bërë të ditur se këto inspektime po zhvillohen me qëllim të ruajtjes së çmimeve të përcaktuara nga shtëpitë botuese.


Tutje, Bulliqi ka paralajmëruar se Drejtoria e Inspeksionit do të vazhdojë me kontrolle të tilla për të parandaluar çfarëdo abuzimi eventual që mund të shkaktohet me ngritje të çmimeve nga shitja e librave dhe materialeve shkollore.

“Mbrojtja e konsumatorit është prioritet”, ka shkruar i pari i Podujevës në Facebook.

Ndryshe, për këtë vit shkollor Ministria e Arsimit ka marrë vendim që tekstet shkollore të blihen nga prindërit për fëmijët e tyre, por me subvencionim nga shteti.

Për këtë ekzekutivi ka ndarë afro 13 milionë euro. Aplikimi për përfitimin e 80 eurove të paraparë për nxënësit e klasave nga e para në të pestën, dhe të 30 eurove për ata nga klasa e gjashtë në të nëntën, do të jetë i hapur deri në fund të shtatorit. /Telegrafi/