Influencerët ia shitën botës një fantazi për Dubain - dhe tani ajo është zhdukur në një re tymi raketash

Qyteti u paraqit si një vend i dëshirueshëm për të jetuar, por ata që u shpërngulën atje tani po e kuptojnë pasigurinë që vjen me të qenët migrant ekonomik.
Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Për t’u mashtruar nga një vegim, nuk është e nevojshme të jesh i humbur në shkretëtirë. Ndonjëherë, iluzioni është më i fortë pikërisht atëherë kur mendon se je i sigurt në shtëpi, duke postuar nga pishina për festën e llastimit të vajzës sate adoleshente dhe për jetën tënde vezulluese në një qytet ku “mundësitë janë të pafundme”, siç priren të jenë për vajzat e miliarderëve që jetojnë në parajsa fiskale. Dhe, pikërisht atëherë fantazia shpërthen në një re tymi raketash të kapura nga mbrojtja ajrore, duke lënë pas vetëm një grua tjetër me pizhame që i thotë Instagrami-t (siç bëri Petra Ecclestone në fundjavë) se ajo u shpërngul në Dubai “për t’u ndier e sigurt” dhe se lufta nuk përmendej askund në kushtet e kontratës.
Kush mund ta kishte menduar se të jetosh disa qindra milje larg Teheranit - në vijë ajrore për dronët - mund të kishte rreziqe? Me siguri jo ai menaxher spekulativ fondesh që u ankua në Financial Times se “marrëveshja nuk ishte që të ekspozoheshe ndaj gjeopolitikës”.
Por, nëse është e vështirë të kesh simpati për super të pasurit, teksa zbulojnë se ka disa gjëra që paratë nuk mund t’i blejnë, ata nuk janë të vetmit britanikë të bllokuar në Gjirin Persik. Marrëveshja që Dubai u ofroi migrantëve ekonomikë - dhe kjo është ajo çfarë janë britanikët të cilët kërkojnë një jetë më të mirë në Gjirin Persik, sado që disa mund ta urrejnë këtë etiketë - ishte një lloj i [filmit] Shou i Trumanit në jetën reale: një strehë e ndritshme, me diell, e sterilizuar dhe me kriminalitet të ulët për këdo që dëshironte të pasurohej ose të mbetej i pasur, e mbajtur në këmbë nga ndëshkimet e rrepta për këdo që do të guxonte t’i prishte publikisht iluzionet e saj.
Krahas menaxherëve të pasurisë, agjentëve të pasurive të paluajtshme dhe bashkëshorteve të reja të bukura me lëkurë të lëmuar që zakonisht shoqërojnë super të pasurit, Dubai tërhoqi edhe pjesën e vet të përdoruesve të X-it me shenjën e kaltër që mbështesin [partinë] Reform-ën, duke folur nga klubet e tyre të plazhit për mënyrën se si Londra gjoja po shkatërrohej; influencerë që kërkonin sfond luksi për videot e tyre të hapjes së pakove; djem të kriptomonedhave, teknologë dhe mashtrues të ndryshëm. Por, shumë hapa më poshtë në shkallën financiare, pas tyre erdhi një ushtri punëtorësh të rinj të përkohshëm për të pastruar pishinat e tyre, për t’u kujdesur për fëmijët e tyre dhe për t’u dhënë atyre mësime pilatesi, shumë prej të cilëve tani kanë familje në vendet e tyre që janë të shqetësuara deri në ankth. Mburruni, po deshët, kur tani po zbulojnë pse njerëzit e tjerë qëndrojnë në shtëpi kur bie shi, por kjo lloj kënaqësie nga fatkeqësia e të tjerëve duket e shëmtuar kur qeniet e tjera njerëzore flenë në bodrumet e veta ndërsa regjimi tiranik iranian përpiqet t’i vrasë.
Rreth 300 mijë britanikë vlerësohet se janë bllokuar në të gjithë rajonin e Gjirit për shkak të luftës: secili, nga çiftet në muaj mjalti që thjesht po ndërronin aeroplanët, te udhëtarët e biznesit, punonjës ndihme që po merrnin disa ditë pushim nga zonat e luftës dhe familje që po vizitonin të afërmit. Shumica prej tyre nuk e prisnin luftën, jo më shumë sesa ne që jemi në Britani ku ajo së shpejti do të mbërrijë në një formë më pak vdekjeprurëse përmes rritjes së çmimeve të gazit dhe karburantit, zinxhirëve të ndërprerë të furnizimit, komuniteteve të diasporës që presin me ankth lajme për të afërmit e tyre dhe gjithë zemërimin helmues që inflacioni në rritje mund të shkaktojë kundër një qeverie laburiste pikërisht në momentin kur rimëkëmbja ekonomike dukej se ishte në horizont.
A mund të shkaktojë lufta në Lindjen e Mesme një krizë ekonomike globale?
Kjo luftë po e shndërron në armë ndërlidhjen globale, apo mënyrat e panumërta në të cilat goditjet e largëta nëpër botë afrohen më pranë shtëpisë falë lëvizjes së njerëzve, parave dhe mallrave - si edhe përmes videove në TikTok të xhiruara nga dikush që të duket si shoqe, sepse e sheh çdo ditë duke biseduar ndërsa bën grimin.
Pse Irani, ndërsa është nën sulm, po provokon zemërimin - dhe jo simpatinë - e botës arabe duke hedhur dronë mbi hotele në Dubai, rafineri nafte në Arabinë Saudite dhe objekte të gazit të lëngshëm natyror në Katar? Natyrisht, për t’i shtyrë fqinjët të ushtrojnë presion mbi amerikanët, por edhe për t’i treguar Uashingtonit se, nëse ai bie, atëherë do ta tërheqë me vete gjithë lagjen. Strategjia e Iranit është ta bëjë rajonin më të gjerë të Gjirit të duket një vend tepër i rrezikshëm për të investuar, për të kaluar dimrin në diell apo për t’u mbështetur për furnizime energjie: pra, të shkëpusë lidhjet e tij me botën e jashtme. Një regjim i përjashtuar, që është vetë i mbyllur dhe i izoluar, po sulmon vendet prosperiteti i të cilëve varet nga të qenit të hapur, duke përdorur lidhjet e tyre me Perëndimin si mjet presioni. Dhe, Dubai është objektivi i tij më i afërt dhe më i qartë që ngjan me Perëndimin, i cenueshëm ndaj presionit sepse është ndërtuar mbi njerëz mjaftueshëm pragmatikë sa të lëvizin atje ku shkon paraja.
Po e shkruaj këtë nga Franca, ku gazeta ime e mëngjesit thotë se Bali është Dubai i ri për influencerët: i nxehtë, pafundësisht i përshtatshëm për Instagram, por më i lirë dhe - ç’është më e rëndësishmja - jo fqinj me Iranin. Ndoshta ata thjesht do të mbledhin tripodët e kamerave dhe do të largohen, ndërsa ndiqen kot nga kërkesat e liderit të liberal-demokratëve, Ed Davey, që britanikët jashtë vendit të detyrohen të paguajnë taksa në rast se ushtria jonë duhet t’i shpëtojë përsëri. (Le të themi vetëm se mund të kërkojnë në Google për “tensionet në Detin e Kinës Jugore”.)
Por, personalisht, nëse ka një gjë që dua më shumë nga djemtë e palestrave dhe vajzat e mirëqenies që krijojnë përmbajtje nga Dubai - më shumë sesa paratë e tyre - është që ta përdorin atë ndikim. Tani kur ata e dinë se cila është ndjesia kur duhet të mbledhësh gjërat dhe të ikësh nga bombat që bien, do të doja që të ndërprisnin për një moment përmbajtjen me #sponsored vetëm sa për të reflektuar mbi mësimet e nxjerra nga ky version luksoz i përvojës së refugjatëve. Pse të mos përdorin ato lidhje me botën e jashtme që Irani duket kaq i etur t’i shkatërrojë, dhe t’u flasin miliona ndjekësve të tyre në TikTok, Instagram dhe YouTube për pasigurinë e rrugës së migrantit dhe për faktin se të shpërngulesh jashtë vendit për një jetë më të mirë - siç bëjnë çdo ditë miliona njerëz në rrethana shumë më kërcënuese për jetën - nuk është aq komode sa pretendojnë disa?
Nëse dëshiron të pasurohesh në Dubai ose të vdesësh duke u përpjekur, jam e gatshme ta pranoj se kjo është puna jote. Por, vetëm nëse ndihesh njësoj për çdo migrant tjetër ekonomik: sepse, të pëlqejë apo jo, edhe ti je një prej tyre. /Telegrafi/



















































