LAJMI I FUNDIT:

Inflacioni në muajin tetor në Eurozonë ishte 2.2%

Inflacioni në muajin tetor në Eurozonë ishte 2.2%

Indeksi i Çmimeve të Konsumit në Eurozonë në muajin tetor 2018 është rritur në 2.2 për qind nga 2.1 për qind që ishte në muajin shtator dhe niveli është sipër objektivit të Bankës Qendrore Evropiane në 2 për qind.

Sipas Eurostat, përcjell Telegrafi, 19 vendet që ndajnë euron, inflacioni ka marrë vrull në muajin tetor, duke ofruar më shumë bindje për Bankën Qendrore Evropiane që të heqë stimujt monetarë, pavarësisht se rritja ekonomike po ngadalësohet.


Tregues pozitiv për BQE-në është rritja e inflacionit bazë, që preku 1.3 për qind nga 1.1 për qind dhe një tregues tjetër që përveç ushqimit dhe karburanteve përjashton edhe alkoolin e duhanin, u rrit në 1.1 për qind nga 0.9 për qind, megjithatë plani i BQE-së për të rritur normat e interesit vitin e ardhshëm mund të sfidohet nga ngadalësimi i ekonomisë.

Produkti i Brendshëm Bruto në Eurozonë në tremujorin e tretë 2018 u rrit me 0.2 për qind, sa gjysma e projeksioneve të BQE-së. Banka planifikon të përfundojë programin e blerjes së borxhit në treg të hapur në fund të këtij viti dhe të nisë rritjen e normave të interesit në verën e 2019-së. /Telegrafi/