LAJMI I FUNDIT:

Inflacioni në Gjermani rritet me 1.7%

Inflacioni në Gjermani rritet me 1.7%

Inflacioni në Gjermani është rritur ndjeshëm pranë objektivit të Bankës Qendrore Europiane (BQE) për dhjetorin, duke treguar nivelin më të lartë në tre vite. Të dhënat japin prova për institucionin në Frankfurt se programi i lehtësimit monetar po funksionon.

Megjithatë, rritja e fortë e nivelit të çmimeve mund të kufizojë konsumatorët gjermanë në shpenzime, pasi do të ketë më pak të ardhura reale.


Indeksi i Harmonizuar i çmimeve të konsumit (HICP), që mundëson krahasimin me vendet e tjera të Europës, u rrit me 1.7 për qind për dhjetorin me bazë vjetore, nga 0.7 për qind që ishte në Nëntor, tregon Zyra Federale e Statistikave.

Niveli, që është pranë objektivit në rreth 2 për qind të Bankës Qendrore Europiane, tregon normën më të lartë të inflacionit që prej Korrikut 2013, dhe ishte sipër projeksioneve të analistëve.

Konservatorë si Jens Weidmann, që është Presidenti i Bundesbank dhe anëtar i bordit drejtues të BQE, do të kenë më shumë argument për të përfunduar sa më shpejtë programin e blerjes së titujve të borxhit.

Ekonomistët thonë se të dhënat për Gjermaninë përbëjnë një sinjal dhe nëse shifrat vijnë në këtë nivel për të gjithë Eurozonën, atëherë programi i blerjes do të përfundojë në mars 2017.

Të dhënat tregojnë se rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve ishin kontribuesit kryesorë të rritjes së inflacionit.

Rritja e çmimeve të naftës tregon se inflacioni mund të arrijë nivelin objektiv të BQE për të gjithë vendet anëtare të Eurozonës.

Megjithatë, ndërsa rritja e çmimeve përbën lajme të mira për BQE, për ekonominë gjermane, ku konsumi privat është një ndër faktorët kryesorë të rritjes, nuk sjell pozitivitet. Qeveria gjermane pret që ekonomia të jetë rritur me 1.8 për qind në 2016-n dhe projekton një ngadalësim në 1.4 për qind për këtë vit. /Telegrafi/