LAJMI I FUNDIT:

Inflacioni në Eurozonë ngjitet në 1.1%

Inflacioni në Eurozonë ngjitet në 1.1%

Inflacioni në Eurozonë ka arritur në 1.1 për qind, në Gjermani rritet me 1 për qind në një muaj

Norma e inflacionit në Eurozonë është ngjitur në 1.1 për qind gjatë muajit Dhjetor, nga 0.6 për qind që regjistrohej në muajin Nëntor të vitit të kaluar.
Të dhënat i japin të drejtë kështu Bankës Qendrore Europiane dhe lehtësimit sasior në shkallë të gjerë. Ky lajm, vjen në serinë e atyre që tregojnë se rajoni i monedhës së përbashkët e ka mbyllur vitin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke e nisur vitin 2017 me këmbën e mbarë.

Të dhënat janë zyrtare dhe janë publikuar nga Eurostat. Zyra e statistikave e Bashkimit Europian bën me dije gjithashtu se në rajonin me 28 vende, norma e inflacionit gjatë muajit të fundit të vitit u ngjit në 1.2 për qind, nga 0.6 për qind që ishte në muajin Nëntor të vitit të kaluar.


Të vetmet vende europiane në deflacion gjatë Dhjetorit rezultojnë Bullgaria dhe Rumania. Nga ana tjetër, norma më e lartë regjistrohet në Estoni, Belgjikë, Çeki dhe Letoni, madje mbi objektivin e Bankës Qendrore Europiane, që është pranë dhe më poshtë se 2 për qind.

Kontributin kryesor në rritjen e normës së inflacionit e jep grupi i karburanteve. Gjermania ndërkohë është vendi që ka nxitur trendin, pasi norma e inflacionit është rritur me 1 për qind në terma mujorë, nga 0.7, në 1.7 për qind. /Telegrafi/