LAJMI I FUNDIT:

Inflacioni në 0.4% në Eurozonë

Inflacioni në 0.4% në Eurozonë

Çmimet e larta të restoranteve, bareve dhe cigareve kanë shtyrë edhe më thellë në territor pozitiv çmimet e konsumit në Eurozonë gjatë shtatorit.
Këto zëra kanë zhbërë kështu efektin e çmimeve të ulëta të naftës dhe gazit.

Eurostat konfirmoi kështu një inflacion pranë 0.4 për qind në terma vjetorë gjatë Shtatorit. Kjo normë mbetet kështu e pandryshuar në krahasim me muajin gusht.


Zyra e statistikave të Bashkimit Europian raporton se, restorantet dhe baret kontribuan me 0.08 për qind në normën përfundimtare të inflacionit gjatë muajit. Qiratë e shtëpive dhe cigaret kontribuan me 0.05 për qind.

Çmimet e ushqimeve, alkoolit dhe duhanit u rritën kështu me 0.7 pikë përqindje gjatë muajit shtator në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Çmimet e ushqimeve të papërpunuara u rritën me 1.1 për qind. Çmimet e energjisë ndërkohë, pavarësisht një rritje me 1 për qind në krahasim me muajin gusht, regjistrohen në një rënie me 3 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Norma bazë e inflacionit fiksohet në 0.4 për qind në terma mujorë dhe 0.8 për qind në terma vjetorë. Pavarësisht rimëkëmbjes së çmimeve gjatë tre muajve të fundit, inflacioni vijon të mbetet ende larg objektivit të Bankës Qendrore Europiane, pranë dhe më poshtë se 2 për qind. /Telegrafi/