LAJMI I FUNDIT:

Identiteti i modeles, prapa nudos më “skandaloze” në histori!

Identiteti i modeles, prapa nudos më “skandaloze” në histori!

Refuzoj të pranoj lajmin se modelja irlandeze mund të mos ishte subjekti sensual i pikturës së vitit 1866 të Gustave Courbetit, “Origjina e botës”. Dëshmia ima ka të bëjë me pikturën ku është ajo tërësisht e veshur, shkruan kritiku i artit i ditores Guardian, Jonathan Jones, transmeton Telegrafi.

E gjora Joanna Hiffernan. Vagjina e saj mund ta kishte shkruar historinë. Në përgjithësi, deri tash besohet se kjo modele dhe artiste irlandeze ka pozuar për një nga nudot më tronditës të të gjitha kohërave – piktura e vitit 1866 e Gustave Courbetit, “L’origine du monde” (Origjina e botës). Një zbulim i ri nga një studiues francez sugjeron se nuk ishte ajo në atë shtrat, por valltarja ekzotike e quajtur Constance Queniaux.


Origjina e botës

Do të doja t’i them ca fjalë për Hiffernanin. Do të ishte e çuditshme t’ia vëmë fytyrën gruas në këtë pikturë. Ne e shohim trupin, kofshët, gjinjtë dhe organin e saj seksual të pikturuar me përkushtim. Megjithatë, është joshëse të imagjinosh tiparet e Hiffernanit të fshehura nën atë fletë të bardhë. Kjo jo vetëm që i jep pamje identitetit më të plotë njerëzor, por shton një përmasë fizike te disa piktura tjera të bukura të shekullit të XIX-të.

Gjithashtu, kjo do ta bënte jetën time shumë më të lehtë, nëse ndalemi te Hiffernani, sepse në një libër që sapo përfundova, për Courbetin atë e identifikoj si qenien seksuale të krijimit të botës. Redaktori tash do të donte të bëja një rishikim pedant në këtë fazë të vonë.

Simfonia Nr.1 e James Abbott McNeill Whistlerit, “The White Girl” (Vajza e bardhë) është një vizion etheral i zbehjes që na largon nga areali sensual i pikturës së Courbetit. Vetëm buzët e kuqe të ndritshme dhe modeli i flokëve e vendosin atë në botën e mishtë. Kjo është piktura e Hiffernanit, e veshur. Ajo u bë dashnore e Whistlerit më 1860, në një kohë kur ky aventurier amerikan ishte duke hulumtuar për një karrierë unike avangarde mes Parisit dhe Londrës. “Vajza e Bardhë” mund të duket si një përsosje e estetikës para-Raphaelite (grup i piktorëve, poetëve dhe kritikëve anglezë i formuar më 1848), të poetikës femërore, por kur Whistleri e paraqiti atë në Sallonin e Parisit në 1863, u refuzua bashkë me pikturën “Le Déjeuner sur l’herbe” (Dreka mbi bar) të Edouard Manetit. Të dy u shfaqën pastaj në Sallonin e të Refuzuarve, një nga ngjarjet e mëdha të lindjes së artit modern.

Vajza e bardhë

Pra, edhe para se Hiffernani të pozonte si nudoja revolucionare e Courbet – duke supozuar se këtë e bëri – ajo ishte në zemër të modernizmit të Parisit, duke provokuar tradicionalistët me shëmbëlltyrën e saj abstrakte në nuancat e bardha të së zbehtës.

Dreka mbi bar

Portretizimi më i fuqishëm i saj nga Whistleri na afron me thelbin e pikturës së Courbetit. Në pikturën e tij “Wapping” (Lagjja Wapping), e bërë mes të viteve 1860 dhe 1864, sjell realizmin e çuditshëm të Manetit te portet e Londrës. Aty e shohim një grua në një bisedë me dy burra. Ajo përkulet ndjeshëm në kangjele, e flokët e kuqe jo vetëm që zbulojnë identitetin e saj si Hiffernan, por gjithashtu sugjeron lirinë e saj nga morali Viktorian. Në fakt Hiffernan po luante prostitutën. “Wapping” ishte i famshëm për tregtinë e seksit mes të shekullit të XIX-të, sa që kritiku John Ruskin paramendonte se pijetorja ku rrinin artistët ishte shtëpi publike ku JMW Turner shkonte për vizatuar nudot e tij sekrete.

Wapping

Hiffernan është e fortë, me karakter dhe prezencë të guximshme në pikturat e avangardës së Whistlerit .

Ju ndoshta keni vërejtur problemin e dukshëm, madje edhe përpara se dëshmitë të flasin për një kandidate të re – flokët e kuqe nuk përputhen me qimet publike, të errëta kafe, të nudës të Courbet.

Kundër këtij pretendimi është fakti se ajo e kalonte kohën me Courbetin më 1866 dhe ndoshta ishte e dashura e tij. Ajo me sa duket shfaqet edhe në pikturën “The Sleepers” (Gjumashet), ku janë dy gra lakuriq, bashkë në shtrat, që është bërë po atë vit për Halil Beun, diplomatin turk dhe adhuruesin e artit erotik që po ashtu kishte autorizuar “Origjinën e botës”. Pra, Hiffernani ishte duke punuar dhe me gjasë duke fjetur me Courbetin në vitin kur pikturoi kryeveprën e tij. Dhe, Whistler ishte artist shumë i tërhequr për të ngjyrosur për hir të ngjyrës. Ndoshta ai e ekzagjeronte skuqjen e flokëve të të dashurës së tij.

Gjumashet

Për mua, Joanna Hiffernan ende ka të drejtë të mbajë pretendimin se është Mona Lisa e Vagjinave. /Telegrafi/