LAJMI I FUNDIT:

Hyundai Motor Group deri në vitin 2030 do të bëjë një investim prej 18 miliardë dollarë në segmentin e veturave elektrike

Hyundai Motor Group deri në vitin 2030 do të bëjë një investim prej 18 miliardë dollarë në segmentin e veturave elektrike

Hyundai Motor Group, që përbëhet nga markat Hyundai, Kia dhe Genesis, planifikon që deri në vitin 2030 të bëjë një investim prej 18.6 miliardë dollarëve në mënyrë që të bëhet një nga top 3 prodhuesit botëror të veturave elektrike.

Ky njoftim u bë në ceremoninë e hapjes së themelit të fabrikës së re të Kia-s në Korenë e Jugut. Fabrika prodhimin në masë do ta fillojë në vitin 2025, dhe fillimisht do të prodhojë deri në 150 mijë vetura për vit.


Investimi do të rrisë prodhimin dhe eksportin, dhe do të dërgojë kompaninë drejt linjës prej 31 modeleve të veturave elektrike deri në vitin 2030, raporton Arena EV, transmeton Telegrafi.

Grupi njoftoi se planifikon që deri në vitin 2030 do të rrisë prodhimin lokal të veturave elektrike në Korenë e Jugut deri në 1.51 milionë njësi në vit, ndërsa prodhimin global do ta rrisë deri në 3.64 milionë njësi.

Ky investim nga Hyundai gjithashtu do të shkojë drejt zhvillimit të platformës eM EV, debutimi i së cilës është planifikuar të bëhet në vitin 2025. Ajo do të jetë baza e të gjitha veturave elektrike – nga të voglat, tek “sedanët” dhe SUV-të.

Platforma e re do të ofrojë një distancë deri në 50 për qind më të lartë ndaj veturave e-GMP – e që përkthehet në një distancë prej deri në 750 kilometra për modelet e mesme si Ioniq 5 dhe Kona, dhe deri në 900 kilometra për “sedanët” më të mëdhenj. /Telegrafi/