Hyseni: Unë e kam propozuar Agim Veliun kandidat për deputet

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Podujevë, Ekrem Hyseni në një linjë direkte në Debat Plus ka deklaruar se përfshirja e figurave politike në listat zgjedhore ka qenë pjesë e një vullneti të brendshëm për të ndërtuar një listë përfaqësuese dhe me kontribut të gjerë.
Hyseni ka thënë se ai personalisht ka qenë pro përfshirjes së ish-nënkryetarit të LDK-së, Agim Veliu në listën zgjedhore të partisë.
“Unë kam qenë ai që e kam propozuar Agim Veliun. Asnjëherë s’kemi marrë përgjigje negative,” ka deklaruar Hyseni.
Ai ka shtuar se, sipas tij, brenda strukturave partiake ka ekzistuar një disponim që në listë të jenë të gjithë ata që mund të japin kontribut politik dhe elektoral.
“Nuk ka shprehur gatishmëri Veliu me qenë pjesë e listës. Kemi pasur kushdo që ka qëndrim pozitiv”, ka thënë ai, duke theksuar se procesi ka qenë i hapur për diskutim.
Hyseni ka mohuar se ka pasur refuzim të drejtpërdrejtë ndaj përfshirjes së Veliut dhe ka theksuar se propozimi i tij ka qenë pjesë e diskutimeve në kryesi.
Ai gjithashtu ka thënë se një pjesë e zhvillimeve të fundit i ka marrë vesh më vonë, duke e cilësuar situatën si të papritur për të në disa aspekte.
“Në mbledhje e kam thënë që Veliu duhet me qenë pjesë e listës, me një fushatë dinjitoze e me program”, ka deklaruar Hyseni.
Ai ka shtuar se qëndrimi i tij mbetet i njëjtë dhe se, sipas tij, oferta për bashkëpunim dhe përfshirje në listë “vlen ende” për të gjithë ata që mund të kontribuojnë në kauzën politike të partisë.
Hyseni ka theksuar se LDK duhet të mbetet e hapur për figura që, sipas tij, mund të kontribuojnë në projektin politik dhe në përfaqësimin e votuesve të saj.




















































