Banorët ankohen për dëmtimin e rrugës “Vojislav Dancetovi” - kërkojnë rikthimin e saj në gjendjen e mëparshme

Banorët e rrugës “Vojislav Dancetovi” në Prishtinë kanë ngritur shqetësim për dëmtimin e rrugës, të cilën, sipas tyre, e kanë shkaktuar kamionët e një kompanie që transporton materiale në këtë zonë.
Sipas banorëve, rruga është shtruar vetëm rreth një vit më parë, ndërsa qarkullimi i mjeteve të rënda ka dëmtuar shtresën e asfaltit.
“Kompania që po bart material përgjatë rrugës Vojislav Dancetovi, me kamionët e saj e ka dëmtuar rëndë rrugën, e cila është shtruar vetëm para rreth një viti”, thuhet në ankesën e banorëve, raporton Telegrafi.
Ata theksojnë se rruga kishte vetëm një shtresë asfalti dhe se dëmtimi i saj është përkeqësuar nga qarkullimi i shpeshtë i kamionëve të tonazhit të rëndë.
“Kjo rrugë ka pasur vetëm një shtresë asfalti, dhe fatkeqësisht edhe ajo është dëmtuar nga qarkullimi i rëndë i kamionëve”, shprehen banorët.
Banorët kërkojnë që kompania përgjegjëse të ndërhyjë dhe ta rikthejë rrugën në gjendjen që ishte para fillimit të aktiviteteve të saj.
“Kërkesa është e thjeshtë: kompania ta rikthejë rrugën në gjendjen në të cilën e ka gjetur, sepse banorët nuk duhet të paguajnë për dëmet e shkaktuara nga aktiviteti i një kompanie”, thuhet në ankesë.
Në fund, ata kërkojnë që rruga të sanohen dhe të rikthehet në gjendjen e mëparshme.
“Rruga duhet të rikthehet dhe të rregullohet siç ka qenë”, kanë theksuar banorët. /Telegrafi/




































