LAJMI I FUNDIT:

Hyseni: Problemi i mjegullës në Aeroportin e Prishtinës do të zgjidhet

Hyseni: Problemi i mjegullës në Aeroportin e Prishtinës do të zgjidhet
Foto: Arkiv

Koordinatori për fluturime i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP), “Adem Jashari”, Driton Hyseni, për “Emisionin e Mëngjesit”, të Radio Televizionin të Kosovës, ka folur për të arriturat e ANP-së, për vitin 2016, problemin e mjegullës dhe planet për këtë vit.

Sipas tij, një problem që çdo vit në dimër po i shfaqet ANP-së, është ai i mjegullës. Hyseni ka bërë me dije se ky problem në një të ardhme të afërt do të zgjidhet.

“Edhe qeveria edhe ne si kompani po angazhohemi që sistemi i aterimit të aeroplanëve të ngritet edhe në nivele më të larta. Shpresoj që mjegulla nuk do të jetë me temë në ANP në të ardhmen e afërt. Pasi që sistemi i uljes të jetë një kategori tjetër”, ka thënë Hyseni.

Sipas tij, viti 2016, ka qenë vit rekord për ta, pasi që kanë pasur mbi 200 mijë pasagjerë më shumë se vitin 2015.

“Këtë vit po fillojmë më performancë të mirë, përkundër këtij muaji që kushte atmosferike nuk kanë qenë shumë të mira. Kemi pasur ca problemeve këtë muaj, më 6 janar kemi pasur probleme për shkak të borës dhe dukshmërisë. Mirëpo në ditët në vijim i kemi kompensuar fluturimet. Edhe me datën 22 kemi pasur të njëjtin problem”, ka thënë ai.,

Sipas tij për sot do të jenë 36 fluturime dhe me mbi 4 mijë pasagjerë. “Shpresoj të mos kemi asnjë problem dhe po shkon gjithçka mirë”, ka thënë ai.

Hyseni, ka bërë me dije se ANP-ja, deri tani ka marrë disa çmime ndërkombëtare

“Ne jemi vlerësuar edhe nga vet kompanitë që operojnë këtu dhe kjo na bënë që të motivohemi edhe më shumë”, ka thënë ai.

Sa i përket çmimeve të biletave, Hyseni ka bërë me dije se ata punojnë që të ketë çmime sa të të volitshme.

“Këtë vit do të shtojmë edhe fluturimet nga Budapesti me Wizzair. Po ashtu do të kemi edhe nga Finlanda. Si kompani Limak në programin tonë kemi që të rritet konkurrenca dhe të ulen çmimet e biletave”, ka thënë ai.

Sipas tij kjo bëhet në koordinim edhe me institucionet e Kosovës, që qytetarët të kenë sa më të lira biletat.

“Biletat i vendosin kompanitë ajrore. Ne si Limak po bëjmë maksimumin”, ka thënë ai.

Hyseni ka thënë se do të vazhdohet me investime në projekte të ndryshme që pasagjerët të kenë kushte sa më të mira. /Telegrafi/