LAJMI I FUNDIT:

Hoxhaj në Vjenë, diskuton për liberalizimin e vizave

Hoxhaj në Vjenë, diskuton për liberalizimin e vizave

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, po qëndron në Vjenë në vizitë zyrtare.

Në agjendën e takimeve me drejtues të institucioneve, Hoxhaj ka pasur diskutim për liberalizimin e vizave për Kosovën, perspektivën evropiane dhe rritjen e investimeve të Austrisë në Kosovë.


Sipas një komunikate dërguar medieve, në takime të ndara me kryeparlamentarin austriak, Wolfgang Sobotka, dhe ministrin austriak për Evropë, Gernot Blümel, zëvendëskryeministri Hoxhaj ka ngritur temën e liberalizimit të vizave, si prioritet me rëndësi të madhe për Qeverinë e Kosovës, duke shtuar se roli i Austrisë në këtë proces është jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Një temë tjetër kyçe që është diskutuar në këto takime është edhe organizimi i një forumi të madh ekonomik të Kosovës dhe Austrisë, gjë që do të shërbejë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, e në veçanti nënkupton investime të reja për Kosovën.

Hoxhaj ka marrë pjesë edhe në konferencën për shënimin e dhjetë vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Austrisë.

Në këtë konferencë zëvendëskryeministri Hoxhaj ka folur për përmbylljen e shtetndërtimit të Kosovës dhe kompletimin e sovranitetit përmes anëtarësimit të plotë në OKB.

Foli edhe për formimin e ushtrisë së Kosovës, të cilën e cilësoi me rëndësi strategjike jo vetëm për Kosovën por edhe për sigurinë dhe stabilitetin në rajon. /Telegrafi/