Houthët e Jemenit, të mbështetur nga Irani, thonë se kanë sulmuar Izraelin dhe do të ndalojnë lundrimin detar izraelit në Detin e Kuq.

"Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq përballë rrethimit të padrejtë ndaj popullit tonë", thotë grupi në një përditësim këtë mëngjes, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.


Ata thonë se qëlluan me raketa "objektiva të ndjeshëm të armikut izraelit" në qytetin portual të Jaffës dhe sulmi "i arriti objektivat e tij".

"Ne shpallim një ndalim të plotë të lundrimit për armikun në Detin e Kuq, dhe çdo lëvizje sioniste do të konsiderohet si objektiv ushtarak për forcat tona.

Kujtojmë se Houthët - të njohur zyrtarisht si "Mbështetës të Zotit" ose "Ansar Allah" në arabisht - janë një grup rebelësh islamistë shiitë me bazë në Jemenin perëndimor.

Grupi kundërshton ndikimin e SHBA-së dhe Izraelit në Lindjen e Mesme - me sloganin e tij që përmban fjalët "vdekje Amerikës", "vdekje Izraelit" dhe një "mallkim mbi hebrenjtë".

Të mbështetur nga Irani dhe të lidhur me grupe të tjera islamiste në rajon, të tilla si Hamasi dhe Hezbollahu, Houthët kanë qëlluar me raketa drejt Izraelit në solidaritet me Iranin gjatë konfliktit të fundit. /Telegrafi/